Prishtinë, 23 shtator 2013 - Analisti, Behlul Beqaj, e ka kualifikuar si manipuluese, atë që bashkëpunëtorët e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, e quajnë "filozofi rugovjane". Sipas tij, ato që ndodhën në LDK, pas vdekjes së Rugovës, nuk janë pasojë e pakënaqësisë së tyre dhe nuk i përkasin kursit politik që ka ndjekur partia e tyre. Motiv për largimin e një pjesë nga kjo parti, sipas Beqajt, ishte karakteri i paepur për pushtet. Ai ka shtuar se nuk ka ikur nga LDK-ja, ndonjë personalitet, vetëm për shkak të bindjes politike.
Në një intervistë për "Kohën Ditore", teksa ka folur për ish-presidentin e ndjerë dhe pasuesit politikë të tij, Beqaj ka thënë se pasuesit e Rugovës, janë rugovistë vetëm për aq sa janë në pushtet dhe se bindja e tyre ka qenë vetëm interesi. “Interesi i tyre ka qenë dhe mbetet pushteti. Ndërsa karakteri i pushtetit e ka zanafillën e bastardimit, qysh në kohën e Rugovës. Unë si harroj zgjedhjet aklamative, të cilat përsëriten edhe sot nga kripto-enveristët, edhe nga partitë tjera”, vlerëson Beqaj, sipas të cilit, pasardhësi i vërtetë i Rugovës mund të jetë, vetëm ai që arrin maksimumin e synimeve, me minimum të sakrificave.
Bazuar në këtë, Beqaj ka thënë se, trashëguesi më besnik i rugovizmit, sot nuk është nga radhët e LDK-së, por është vetë kreu i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. “Pikërisht transformimi i tij, është dëshmia më e bindshme për karakterin makiavelist, me të cilin Thaçi ia kalon edhe Rugovës”, ka thënë mes tjerash, Behlul Beqaj.
|