Prizren, 26 shtator 2013 – Një aksident i rëndë ka ndodhur të enjten, rreth orë 14:00, në aksin rrugor të autostradës “Ibrahim Rugova”, në të cilin lëndime ka marrë një person që aktualisht po trajtohet nga mjekët e Spitalit Rajonal në Prizren.
Burimet tona nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se, deri tek aksidenti ka ndodhur, kur një ngasës i automjetit “Golf”, i cili po lëvizte në drejtim të Prizrenit, është përplasur me kamionin e punëtorëve të mirëmbajtjes së rrugës, i cili ka qenë i ndaluar në shiritin rezervë. “Rreth katër kilometra, pasi ka kaluar udhëkryqin e Suharekës, automjeti, të cilin po e drejtonte një mashkull, rreth 30 vjeç, është përplasur me kamionin e punëtorëve të mirëmbajtjes së rrugës, i cili ishte i ndaluar në shiritin rezervë. Ngasësi i automjetit ishte me vetëdije të plotë, por dukej i traumatizuar. Fillimisht, atij iu dha ndihma e parë nga kalimtarët e rastit, derisa ka mbërritur autoambulanca”, njoftoi nga terreni gazetari jonë, i cili ka potencuar se, kjo e fundit ka mbërritur nga Suhareka, me rreth gjysmë orë vonesë.
Mësohet se në “Golf” ndodhej vetëm drejtuesi, i cili i mbijetoi aksidentit, pavarësisht se automjeti u shkatërrua tërësisht. Ndërkaq, dëmet në kamion, janë më të vogla.
|