Qëllimisht po digjen shtëpitë e vjetra! |
Prizren, 18 tetor 2013 - Ambasada britanike në Kosovë, dyshon se objektet e vjetra në Prizren, ditëve të fundit janë shkatërruar për interesa të ndonjë biznesmeni, për të ndërtuar më pas pa leje. Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, përmes një komunikate për media, ka dënuar ashpër dëmtimin e shtëpisë së vjetër, që i përket familjes Shehu, në lagjen” Tabakhane”, si dhe ndërtesën e ish-Jugobankës, përballë Urës së Gurit. “Është për keqardhje që kjo ka ndodhur, menjëherë pasi Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka nënvizuar se interesat e bizneseve shpesh mbisundojnë ndaj interesave të trashëgimisë kulturore. Raporti ka bërë thirrje për veprim të fuqishëm në ndalimin e ndërtimeve pa leje, si dhe korrigjimin e ndërtimeve që tashmë janë bërë pa leje”, thuhet në këtë reagim. Ambasada ka njoftuar se është duke bashkëpunuar me organizatën “Ec Ma Ndryshe”, e cila monitoron transparencën e Komunës së Prizrenit, në shprehjen e shqetësimit për këtë zhvillim.
Ambasada i bën thirrje qeverisë lokale dhe asaj të Kosovës, Këshillit të Prizrenit për Trashëgimi Kulturore, si dhe institucioneve tjera relevante, që të nisin menjëherë me hetimin e rasteve dhe të ndalojnë përsëritjen e këtyre dëmeve të mëdha që po shkaktohen në pjesë të tjera të qendrës historike të Prizrenit.
|