Dragash, 30 tetor 2013 – Rivalët kryesorë të spektrit politik në Dragash (PDK dhe LDK), të enjten e përmbyllin fushatën e tyre parazgjedhore, në të njëjtë kohë, por në lokacione të ndryshme. Partia që synon edhe një mandat (PDK), fushatën e përmbyll në Dragash, me fillim në orën 13:00. “Ftoheni që të merrni pjesë në përmbylljen e fushatës, të enjten, me fillim në ora 13:00, në shtëpinë e kulturës në Dragash. Në këtë tubim marrin pjesë anëtarë të kryesisë qendrore”, thuhet mes tjerash në njoftimin e degës së PDK-së, në të cilin nuk ka paralajmërim, nëse do të jetë prezent kreu i partisë dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Njoftim të ngjashëm ka dhënë edhe dega e LDK-së, e cila ka paralajmëruar përmbylljen e fushatës, në fshatin më të madh të Opojës, në Bresanë. “Më datën 31 tetor (e enjte), me fillim në ora 13:00, dega e LDK-së organizon tubimin përmbyllës të fushatës parazgjedhore. Tubimi mbahet në shtëpinë e kulturës, në Bresanë”, thuhet në njoftimin e degës së LDK-së, ku ftohen qytetarët që të bëhen pjesë, siç thuhet, e fitores së kandidatit të tyre për kryetar komune, Fatmir Mehmeti.
Sikurse PDK-ja, edhe LDK-ja nuk ka paralajmëruar, nëse do të jetë prezent kreu i partisë, njëherësh kryetar i Prishtinës, Isa Mustafa. Madje, asnjëra nga partitë kryesorë në këtë komunë, nuk ka bërë me dije, nëse do të prezantojnë këngëtarë të njohur, apo ndonjë pikë kulturo-artistike. Sido që të jetë, elektorati më i madh i Dragashit, nesër duhet të vendosë se në cilën fushatë do të merr pjesë, sepse nuk mund t’i përcjell që të dyja, për t’i përcjellë
ofertat e dy partive më të mëdha, rivale kryesorë në skenën politike të Dragashit. Ndërkaq, dy partive iu mbetet që të kënaqen, vetëm me prezencën e simpatizantëve besnikë të tyre, por jo edhe me prezencën e atyre që duan paraprakisht të dëgjojnë se çfarë iu premtohet, për të vendosur më pas se kujt do t’ia besojnë votën.
|