PDK: Do ta fitojmë Prizrenin, edhe pa Zafirin! |
Prizren, 12 nëntor 2013 - Kryesia e degës së PDK-së në Prizren, në mbledhjen që mbajti sot, ka thënë se nuk është në dijeni për kurrfarë bisedimesh për bashkëqeverisje dhe, as që është pjesë e bisedimeve me Bashkimin Demokratik (BD). Përmes një komunikate për shtyp, dega e PDK-së i është drejtuar anëtarëve të saj, mbështetësve, simpatizantëve të PDK-së dhe mbarë qytetarëve, duke iu sqaruar se shkrimet e fundit në portale dhe media të shkruara e elektronike, se PDK dhe BD janë duke negociuar për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, kanë shkaktuar shqetësime tek anëtarësia e gjerë. ”Kryesia konsideron se nuk ka nevojë për një koalicion të tillë shtesë, sepse i kemi votat e mjaftueshme me partnerët e koalicionit, për të fituar dhe qeverisur Prizrenin, edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. PDK dhe partnerët e koalicionit në këto zgjedhje, tashmë e kanë kryetarin e vet dhe shumicën në kuvendin komunal. Jetës demokratike në qytetin tonë, i nevojitet që partitë politike, jashtë ekipit fituese të PDK-së, të mbeten komponentë opozitarë, për të vazhduar dhe drejtuar frymën politike plurale. Prandaj, i porosisim votuesit, mbështetësit dhe simpatizantët e PDK-së, si dhe ata të koalicionit fitues, që të mos kenë shqetësime dhe, më 1 dhjetor të dalin në votime dhe ta rivulosin fitoren e Ramadan Mujës”, thuhet në komunikatën e degës së PDK-së në Prizren.
|