• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajmet - BLIC |
e Martë, 17 Nëntor 2009 10:54 |
Dragash - Në garën zgjedhore për kryetar të Dragashit, ndër pesë pretenduesit e këtij posti, më i votuari ka dalë Salim Jenuzi (PDK), me 39%, ose 4962 vota. Halim Shemsidini (LDK), ka marrë 37.2%, ose 4652 vota. Ky rezultat, edhe kësaj radhe, u jep të drejtë balotazhi dy partive më të mëdha në komunën tonë, ndërkaq, sipas votave, i treti radhitet Qasip Kushit (Vakat), me 1609 vota, pason Burim Piraj (AAK), me 878 vota dhe i fundit radhitet Fitim Tefiku, (AKR- LDD), me 392 vota.
Këto janë rezultatet preliminare, të KKZ-së, të konfirmuara mbrëmë edhe nga KQZ-ja.
Ndërkohë, rezultatet e zgjedhjeve për Kuvendin komunal, ende nuk janë publikuar, por, sipas të dhënave nga shtabet zgjedhore të partive politike, të cilat dallojnë njëra prej tjetrës, mund të konstatohet se në Kuvendin komunal të Dragashit, numër të njëjtë të delegatëve do të kenë PDK- ja dhe LDK-ja, ose e para një delegat më tepër.
KKZ-ja bëri të ditur se, nga numri i nënshkrimeve në listën përfundimtare me 13.575 votues, fletëvotime të rregullta kanë qenë 12.949, ndërsa vota me kusht 381.
Prizren - Ndonëse në Prizren, ende nuk janë publikuar rezultatet zyrtare, tashmë dihet se balotazhi për kryetar komune në mes të PDK-së dhe LDK-së, si dhe koalicioni për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare, janë të pashmangshme, sikurse edhe në Dragash.
Nga të dhënat e Koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, del se për kryetar komune në Prizren prin kandidati i PDK-së, Ramadan Muja, me 33.01% të votave, kundrejt Hanefi Muharremit nga LDK-ja, i cili siguroi 29.88% të votave.
Kandidatët tjerë për kryetar të Prizrenit, “Koalicioni për Prizrenin”, i përbërë nga LDD-ja dhe AKR-ja, bashkë më 5 subjekte të tjera, siguruan 13.71%, ndërsa kandidati i AAK-së, Bislim Zyrapi, siguroi vetëm 6.62% të votave.
Gjakovë - Komisioni Komunal Zgjedhor në Gjakovë, shpalli rezultatet preliminare të zgjedhjeve në këtë komunë, ku sipas tyre, Pal Lekaj, kryetar i deritashëm dhe kandidat nga AAK-ja, ka fituar 22.886 vota, kundrejt konkurrentes kryesore të tij, Mimoza Kusarit, e cila mblodhi 17.616 vota.
Meqë Lekaj ka marrë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme, mbi 52 %, pasi KQZ-ja të bëjë certifikimin e zgjedhjeve, fiton garën për kryetar të komunës, pa balotazh.
Sipas këtyre rezultateve, pjesëmarrja e votuesve gjakovarë, këtë herë ka qenë shumë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara, që është përshëndetur edhe nga subjektet politike, pjesëmarrëse në garën zgjedhore për pushtetin lokal.
Prishtinë - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, i uroi qytetarët e Kosovës, institucionet kosovare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizim të zgjedhjeve të lira e demokratike, të cilat në përgjithësi, siç tha ai, i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare dhe kanë bërë që SHBA-të të mburret me Kosovën.
Përshëndetjet më të mëdha, Dell ia drejtoi popullit kosovarë, që ka marrë pjesë në votime dhe është sjellë tamam si popujt e vendeve me traditë të lashtë demokratike.
Po ashtu diplomati amerikan i akredituar në Kosovë, shprehu lëvdata për serbët kosovarë, të cilët, përkundër presioneve të Beogradit, dolën në votime, duke e konsideruar vendimin e tyre, tepër të guximshëm.
Prishtinë - Delegacioni “ad hoc” i Parlamentit Evropian, i cili qëndroi për tri ditë në vendin tonë, vlerësoi se zgjedhjet lokale ishin një fazë e rëndësishme e tranzicionit demokratik të Kosovës, duke përfshirë këtu përmirësimin e të drejtave dhe përgjegjësitë e të gjitha komuniteteve, përmes procesit të decentralizimit.
Ky delegacion, pas zgjedhjeve të para komunale, të organizuara nga autoritetet vendore, përshëndeti procesin e decentralizimit, ditën paqësore të zgjedhjeve, si dhe faktin se zgjedhjet komunale u organizuan edhe në tri komuna të reja që janë duke u krijuar, si dhe në një komunë të zgjeruar.
Pjesëmarrjen e shtuar të serbëve të Kosovës në këtë zgjedhje, delegacioni evropian e konsideroi si një tregues të qartë se komuniteti serb i Kosovës është i gatshëm të marrë përgjegjësitë për qeverisje lokale dhe paraqet një shembull që duhet ndjekur në tërë Kosovën.
Prishtinë - Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, ka kërkuar dje ndihmën e UNICEF-it, në sigurimin e një numri më të madh të vaksinave, për një përfshirje sa më të gjerë të popullatës kosovare në vaksinimin kundër Gripit të ri, A/ H1N1.
Ministri Gashi e ka njohur UNICEF-in, në lidhje me planin nacional të imunizimit nga ky virus dhe planifikimet e Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e vaksinave kundër këtij Gripi pandemik.
Ndryshe, në vendin tonë janë shënuar 39 raste të konfirmuara me këtë grip, nga të cilët njëri ka përfunduar me vdekje, ndërkaq vaksinat e para, si donacion i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovën, pritet të vijnë në muajin e ardhshëm.
|