• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Lajmet BLIC - edisioni i parë
e Enjte, 10 Dhjetor 2009 16:28

Hagë - Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, sot ka vazhduar seancat dëgjimore, lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me paraqitjet e Holandës, Rumanisë dhe Britanisë së Madhe.
E para ka folur përfaqësuesja e Holandës, Lizbet Lajzand, që ka thënë se vendi i saj konsideron se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare. Ajo ka apostrofuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, pasi që më parë ishin eksploatuar të gjitha mundësitë tjera për zgjidhje të çështjes.
Në këtë kontekst, ajo ka folur për 700 mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova, përmes vrasjeve, dhunimeve dhe shkatërrimeve.
Oratori tjetër ka qenë përfaqësuesi i Rumanisë, Bogdan Areshku, që ka mbrojtur pozicionin e Serbisë dhe ka pohuar se nuk pajtohet me qëndrimet e atyre që thonë se GJND-ja nuk duhet të deklarohet rreth çështjes së Kosovës. “Krijimi i një shteti është çështje e GJND-së. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt, por edhe me krijimin e një subjekti të ri të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Areshku, për të shtuar se nuk është i saktë as pohimi se e drejta ndërkombëtare nuk e rregullon (sanksionon) çështjen e secesionit.
Britania e Madhe, ndërkaq, ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, përmes përfaqësuesve të saj, Deniel Betlhem dhe Xhejms Kraford. Betlhem, në hapje të ekspozesë së tij, ka bërë të ditur se do të polemizonte me të gjithë ata që kontestuan ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ai ka shtruar pyetjen, nëse Rezoluta 1244 ndalon shpalljen e pavarësisë dhe menjëherë është përgjigjur se kjo nuk qëndron, sepse “Rezoluta 1244 nuk prejudikon statusin e Kosovës dhe, rrjedhimisht, as nuk e ndalon pavarësinë”.
Prishtinë - Kryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi si vendim historik, rekomandimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për zgjerimin e BE-së, duke konsideruar se, më këtë vendim, po fillon një epokë e re, e cila garanton të ardhme të sigurt të Republikës së Kosovës në integrimin e strukturave evropiane. “Ky vendim konfirmon atë që Kosova ka të ardhme të sigurt në BE. Qeveria e falënderon këtë Këshill, i cili e ka çmuar punën e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera, në menaxhimin e stabilitetit të Kosovës dhe realizimin e objektivave të saj”, deklaroi Thaçi.
Ai në vazhdim u shpreh i kënaqur me argumentimin e pavarësisë së Kosovës edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo e fundit, sipas tij, është një rast i mirë që të prezantohen para botës, argumentet e kauzës së drejtë të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.
Prishtinë - Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, në akademinë solemne me rastin e 30 vjetorit të laurimit të Nënës Terezë me çmimin Nobel për Paqe, tha se ajo është shembull i papërsëritshëm i flijimit të përditshëm për njerëzit dhe shembull i besimit në Zot. "Rrallëkush në botën moderne mund të krahasohet me të, sa i përket namit dhe dashurisë që ajo gëzonte anekënd globit", tha Sejdiu.
Ai shtoi se Nënë Tereza mahniti botën, me luftën e saj unikate, e cila nuk kishte asnjë armë, asnjë forcë dhe asnjë metodë detyrimi ndaj të tjerëve, por kishte vetëm lutjen dhe sakrificën e pandalur për të braktisurit, të sëmurët dhe për të pashpresët.
Prishtinë - Me aktivitete të ndryshme, sot edhe në vendin tonë shënohet 61-vjetori i Deklaratës universale për të drejtat e njeriut. Pavarësisht faktit se vendi ynë ka adoptuar legjislacion të standardeve ndërkombëtare në këtë aspekt, konsiderohet se niveli i respektimit të të drejtave të njeriut, nuk është i kënaqshëm.
Duke folur rreth kësaj Dite, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, tha se liritë dhe të drejtat e njeriut tani përbëjnë vlera universale dhe janë trashëgimi e përbashkët njerëzore. “Me gjithë të arriturat, mbetet sfidë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, jo vetëm të kënaqen me obligimin pasiv, për të mos shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por të dëshmojnë përkushtimin e tyre për rolin aktiv në mbrojtjen dhe promovimin e tyre. Mbrojtja dhe respektimi më i mirë është kur shkaqet parandalohen, duke i luftuar ato”, tha Kurteshi.
Prishtinë - Brian Marsh, specialist në kujdesin intensiv dhe Andrej Kennedy, bio-inxhinier, ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga Dublini i Irlandës do të nisin realizimin e një misioni për menaxhimin klinik të pandemisë së virusit A/H1N1.
Ky aktivitet është mundësuar,pas kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashit, për drejtuesin e OBSH-së, njoftojnë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.
Nën mbikëqyrjen e Zyrës së OBSH-së në Kosovë dhe në bashkëpunim me autoritetet kosovare vendimmarrëse, ata do të analizojnë aspektet lidhur me politikën e menaxhimit klinik dhe udhëzimeve teknike rreth rasteve të gripit A/H1N1 në Kosovë.
Prishtinë - Gazetarë të dy mediumeve të Grupit “Koha”, Bukurie Bajraliu, nga gazeta “Koha Ditore” dhe Bashmir Xhema nga KTV-ja, janë fituesit e dy çmimeve të para për storiet më të mira kundër korrupsionit në Kosovë, që ka ndarë sivjet UNDP-ja, në bashkëpunim me Agjencinë Antikorrupsion dhe Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.
Çmimi i dytë për TV u është ndarë Lindita Azizit nga RTK-ja dhe Isa Gacaferrit nga “BIRN”-i, si dhe një çmim tjetër ka shkuar për mediat lokale, përkatësisht për gazetarin nga radhët e minoritetit serb, Darko Jeftimoviq nga “TV-Most”. Ndërkaq, gazetari Jeton Musliu nga gazeta “Express”, ka fituar çmimin e dytë për gazetari të shkruar.
Zv-drejtori i UNDP-së, Tetsuo Kando, ka deklaruar se luftimi i korrupsion ka shumë rëndësi për Kosovën dhe se UNDP-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë luftën kundër korrupsionit në Kosovë, në sfera të ndryshme.
Share