• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Kopshti zoologjik, pasuri e Prizrenit! |
e Shtunë, 09 Janar 2010 11:07 |
Përpos bukurive të shumta kulturo-historike, Prizreni ka edhe kopshtin zoologjik, i vetmi në vendin tonë, i cili ekziston tash e gjashtë vjet. Përkundër vështirësive të shumta, pothuajse çdo vit ky kopsht është pasuruar me lloj-lloj kafshësh e shpezësh të reja, të cilat askund qytetari nuk mund t’i hasë në Kosovë.
Ndonëse kaluan gjashtë vjet, deri më tash kjo iniciativë private nuk ka gëzuar kurrfarë mbështetje institucionale.
Edhe pronarët, por edhe vizitorët thonë se duhet ndërhyrja e shtetit, në mënyrë që kjo vepër specifike të funksionalizohet dhe që ky projekt të merr formën e simotrave të veta, të paktën në shtetet e rajonit. Aktualisht, kopshti zoologjik “Shqiponja” në Prizren, ekziston falë vullnetit të vet themeluesve të tij, në mënyrë që kosovarët të mos lakmojnë shtetet e rajonit, të cilat me dekada e kanë këtë vepër, por që vetë shteti përkujdeset për të.
Megjithëse i vetmi në Kosovë, pronarët ankohen se nuk kanë kurrfarë përkrahje nga shteti dhe se ky projekt ekziston vetëm nga mjetet, të cilat ata i sigurojnë nga biznesi i tyre privat, ndërmarrja për prodhimin e mobilieve “Desave”, e cila gjithashtu kujdeset që edhe orenditë shtëpiake, të kenë stilin klasik shqiptar.
Vullneti i tre vëllezërve Shehu, nuk shuhet. Përkundrazi, ekziston gjithnjë dëshira për më shumë. Aktualisht, Zooparku “Shqiponja” ofron një kënaqësi të veçantë për shkollarët kosovarë, që nga afër ta shohin një pjesë të faunës, të cilën nuk kanë mundësi ta bëjnë diku tjetër, pos nëse vizitojnë shtetet e huaja.
Sali Shehu, njëri nga vëllezërit bashkëpronarë të këtij kopshti zoologjik, thotë se parku i tyre përbëhet nga 63 lloje, ndërsa si numër janë afër 600 shtazë dhe shpezë, përfshirë edhe majmunët. “Aktualisht zooparku mund të përfitoj vetëm gjatë stinës së verës, kur vizitorët janë më të shpeshtë, ndërsa dimri, i cili kërkon më shumë shpenzime, është sfidë për mbijetesën e kopshtit, pasi për disa nga “banorët” e tij nevojitet edhe ngrohja”, thotë Salihu.
Ndërkaq, vëllai i tij Dervishi, thotë se edhe zyrtarë të lartë vijnë për të shikuar faunën në këtë zoopark, por që deri më tash askush nuk iu ka ofruar përkrahje institucionale, qoftë në ushqimin e kafshëve apo sigurimin e mjekut veterinar. Ai thotë se në shtetet tjera, projekte të këtilla shteti i kompenson me rreth 60 për qind nga shpenzimet që kërkohen. “Në mënyrë që kopshti të funksionojë, shpesh herë iu drejtohemi për ndihmë mjekëve veterinar nga KFOR-i, ushtarët e të cilit janë vizitorë mjaft të shpeshtë”, thotë Dervishi.
Drejtuesit e kopshtit zoologjik “Shqiponja” në Prizren, thonë se, përpos shkollarëve kosovarë, këtu vijnë edhe vizitorë nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës, si dhe ndërkombëtarët që janë me shërbim në Kosovë.
Sido që të jetë, parku zoologjik “Shqiponja” është një pasuri më shumë për qytetin e lashtë të Prizrenit. Mbase, ky është edhe një arsye më shumë për ta vizituar Prizrenin, i cili nga shumëkush njihet si qendra më e rëndësishme kulturo-historike dhe turistike mbarëshqiptare. |