• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Kështjella nostalgjike e komunistëve!
Nga: Radio SHARRI   
e Mërkurë, 13 Janar 2010 11:41
Radio_SHARRI_-_Kshtjella_BrodNuk është vështirë për ta gjetur shtëpinë e Xha Abazit nga fshati Brod, në trevën e Gorës së Dragashit, por vështirë është ta gjesh atë në shtëpi. “Nëse nuk e gjeni në shtëpi, atëherë atë e kërkoni në Shtëpinë e Gjahtarëve”, na udhëzon secili banor i këtij fshati.
Xha Abazi jeton vetëm me bashkëshorten, sepse vajzat e tij, siç thotë, i ka të martuara, ndërsa dy djemtë, posa janë rritur, kanë rrokur trastën e kurbetit, siç bëjnë shumica e të rinjve të kësaj ane. “Gjatë tërë ditës, Abazin mund ta gjeni vetëm në Shtëpinë e Gjahtarëve, që gjendet rreth dy kilometra nga këtu”, na thotë edhe gruaja e tij, në gjuhën gorane, e cila vështirë kuptohet.
I ulur në kolltukët e vjetër prej disa dekadash, plaku që i ka kaluar të shtatëdhjetat, Abaz Shok, pret mysafir të rastit në Shtëpinë e Gjahtarëve “Dhia e Egër” në fshatin Brod të Gorës së Dragashit. Ai flet me nostalgji për mysafirët që e kanë preferuar dikur këtë shtëpi, në thellësi të bjeshkëve të këtij fshati, duke pohuar se, nga ndërtimi i saj në vitin 1963, shumë personalitete të larta udhëheqëse të Jugosllavisë komuniste, kanë kaluar net të tëra në brendinë e saj. “Nga viti 1964, kur jam punësuar, kam pritur vizitorë të shtresave më të ndryshme. Mirëpo, vizitori me i shpeshtë ishte Mahmut Bakalli”, thotë plaku Abaz, i cili mohon thashethemet e popullatës së këtushme, që ky vend të ketë qenë ai, ku Bakalli dhe shumë funksionar të tjerë jugosllavë, qonin dashuri jashtëmartesore. “Absolutisht jo... Unë jam këtu, që nga ndërtimi i saj, prandaj atë që ju them, është e vërtetë! Në gishta mund t’i numërosh femrat që kanë qenë këtu për asi punë... Janë gënjeshtra këto muhabete, të cilat janë plasuar, si pasojë e xhelozisë”, këmbëngul rojtari i kësaj shtëpie, e cila tashmë “ka dalë prej mode”.
Megjithatë, edhe pse plaku Abaz thotë se i ka dy virtyte në jetën e tij, të mos gënjejë dhe të mos vjedhë, banorët e kësaj ane këmbëngulin se kjo shtëpi nuk është vizituar rastësisht në këtë vend ku, siç thonë ata, as dreqi nuk bën ve. “Ne nuk kemi guxuar të afroheshim, kur vinin delegacione të larta. Por, fakti që ata kalonin para hundës sonë, ku i shihnim të shoqëruar me femra të reja, të bën të dyshosh, se ata nuk vinin këtu rastësisht”, thotë një banor i Brodit, pa dashur të identifikohet.
Abaz Shok, rojtar i kësaj shtëpie gjatë katër dekadave, thotë se të gjithë vizitorët e mëdhenj i mban në mendje edhe sot. Por, ai nuk e thotë asnjë fjalë për ndodhitë në brendi të kësaj kështjelle, gjatë kohës së qëndrimit të të mëdhenjve. “Unë e kryeja pjesën time të punës... Se çfarë ndodhte brenda dhomave, as që më interesonte! Këtu vetëm Tito nuk ka qenë, të tjerët krejt. Mbaj mend kur qeveritarët malazez patën ateruar me helikopter, por nuk kisha mundësi të jem pjesë e shoqërisë së tyre, përpos që i shërbeja”, sqaron Shok.
Pas luftës, Shoqata e Gjahtarëve nga Sharri, këtë shtëpi, me afro dhjetë shtretër, është munduar ta rinovoj. Por, përpos që ka arritur ta ruaj inventarin ekzistues, asgjë më tepër nuk ka bërë.
Xha Abazi shpërndanë ushqimin  për shtazët e egra, në vende të ndërtuara enkas për këtë qëllim. “Siç po shihni, tani po i ushqej shtazët e egra, kurse verës ende pres mysafirë", na thotë ai, pasi përfundoi punën e tij të përditshme.
Brendia e kësaj godine dukej e harruar nga institucionet. Muret ishin plotë iniciale të vizitorëve të shumtë të dikurshëm. Ndërkohë që plaku 74-vjeçar me ëndje fliste për të kaluarën e kësaj shtëpie dhe për mysafirët e shumtë, të cilëve ai u kishte shërbyer me dekada. Ai mundohej, kot që të mos lë përshtypje se ende ka nostalgji të pafashitur për ato kohë të kaluara. Mbase, jo edhe për sistemin e shkuar, po më shumë për ditët e tij rinore, të kaluara në këtë godinë.
Në fletoren e vizitorëve, të cilën nuk e kishte më, siç pohon ai, figuronin më shumë se tre mijë nënshkrime të personave të njohur, kryesisht nga skena politike, por edhe nga fusha e kulturës, artit, si dhe gazetarë e fotoreporterë nga anë të ndryshme. Mjerisht, këto shënime i ka përpirë lufta, nënvizon ai me keqardhje.
Në kujtesën e tij janë ruajtur edhe shumë ndodhi interesante, madje edhe komike. Ndër shumë sosh, ai, me buzëqeshje, zgjodhi për ne një ndodhi, paksa qesharake, por që asokohe atë e kishte djersitur mjaft. “Njëherë, këtu pat ardhur për vizitë Stane Dollanc, ministër i policisë së ish-Jugosllavisë. Dhe, atij i kishte shkrepur që të vriste një dhi të egër. Mirëpo, meqë ato janë shumë të shpejta, ai nuk mund t’i  kapte dot me plumb. Andaj, ne u detyruam që pas shumë përpjekjesh ta kapim një sosh. Pasi e lidhem, ai e qëlloi dhe u gëzua si fëmijë. Në ato momente ndjeja keqardhje për dhinë, por edhe frikë nga ky ministër i tmerrshëm”, pohon xha Abazi, i cili për ditët e sotme thotë se nga kjo punë që bën, nuk ka fare përfitim, por që këtë e bën vetëm nga pasioni, por edhe i vjen keq që kjo godinë tani është lënë vetëm nën përkujdesjen e tij.
Sot, ai pret e përcjellë mysafirë të ndryshëm, të cilëve u rrëfen për të kaluarën e kësaj shtëpie. Por, përpos që i sjell kënaqësi, kur ata e dëgjojnë me kërshëri dhe ndahen të kënaqur, asgjë nuk përfiton. “Kjo është puna ime, njëherësh edhe jeta ime e mishëruar për këtë shtëpi, të cilën, vazhdimisht e bren dhëmbi i kohës.
Share