• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajmet BLIC - edicioni i parë |
e Premte, 15 Janar 2010 10:43 |
Dragash - Pas ngjarjeve të fundit në Shqipëri, ku moti i ligë shkaktoi pasoja të përmbytjeve, Kryqi i Kuq i Kosovës, pas kontakteve me simotrën e saj në Shqipëri, ka organizuar aksionin për grumbullimin e të mirave materiale për zonat e përmbytura. Edhe Kryqi i Kuq Komunal në Dragash, ka nisur aksionin e solidaritetit për ndihmë banorëve nga këto zona, i cili do të vazhdojë deri të martën.
Zyrtarët e kësaj organizate humanitare, kanë bërë të ditur se ndihmat në ushqim, mjete higjieniko-sanitare, si dhe veshmbathje, mund të dërgohen në lokalet e Kryqit të Kuq Komunal në Dragash, rruga Adem Jashari.
Bresanë - Fshati Bresanë bëhet me ndërtesë të re të Qendrës së Mjekësisë Familjare, pas shumë peripecive në ndërtimin e këtij objekti.
Tashmë personeli mjekësor do të punojë në kushte mjaft të mira, ndërkaq banorëve të këtij fshati si dhe të fshatrave përreth, do t’u ofrohen shërbime më cilësore shëndetësore, thanë përgjegjësit nga Drejtoria komunale e Shëndetësisë në Dragash. Godina e re, e cila kishte filluar të ndërtohej tri vjet më parë, por që në mungesë të investimeve të mëtutjeshme, punimet janë ndërprerë, tashmë është përfunduar.
Zyrtarët komunalë bënë të ditur se për realizimin e këtij projekti, pos 18 mijë eurove të shpenzuara në vitin 2006, janë investuar edhe mbi 42 mijë euro nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe 34 mijë euro nga investimet kapitale të Komunës.
Dragash - Dje është mbajtur manifestimi tradicional “Flaka e Janarit”, me organizimin e orëve letrare në shkollat e fshatit Brrut dhe Brezne.
Këtë manifestim, sivjet e organizoi Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”, për dallim nga vitet tjera, kur këtë manifestim e organizonte Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi”.
Ora letrare, për ta shënuar rënien e vëllezërve Gërvala dhe Kadri Zekës, si dhe shumë veprimtarëve të tjerë, mblodhi krijues ndër nxënësit, të cilët poezitë e tyre ia kushtuan kryesisht dëshmorëve të rënë, nëpër kohë të ndryshme.
Bedri Halimi, kryetar i Shoqatës Kulturore “Ymer Prizreni”, tha se ky aktivitet është vepër, me të cilën ne i shpërblejmë ata që dhanë jetën e tyre, që ne sot të jetojmë të lirë.
Prizren - Në një projekt të ATRC-së që ka të bëjë me identifikimin e nevojave të banorëve të rajonit të Prizrenit, përfaqësues të fshatrave, si prioritet kanë kërkuar kthimin e kompetencave të Bashkësive Lokale.
Zyrtarët prizrenas deklaruan se po shqyrtohet kjo mundësi për avancim të përgjegjësive, përfshirë edhe kthimin e vulave për Bashkësitë Lokale.
ATRC, e mbështetur financiarisht nga një organizatë ndërkombëtare dhe me përkrahjen nga Komunat e rajonit të Prizrenit, Dragashin, Malishevën, Rahovecin dhe Suharekën, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësues të fshatrave, në kuadër të projektit “Zgjidhja e konfliktit social”, ka identifikuar nevojat e banorëve të rajonit të Prizrenit për vitin 2010 - 2011.
Gjakovë - Një maune e mbushur me ushqim për bagëti, e cila u mblodh nga fermerët e Gjakovës, është nisur drejtë Shkodrës, për t’u dalë në ndihmë fermerëve të kësaj ane, të cilët këto ditë po ballafaqohen edhe me mungesën e ushqimit për bagëtitë.
Ismet Isufi, drejtor komunal i drejtorisë për Bujqësi në Gjakovë, tha se ftesës për ndihmë nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë, fermerët e komunës së Gjakovës i janë përgjigjur, duke grumbulluar ushqim bagëtie, për të përballuar krizën e ushqimit të bagëtive për ato zona, ku edhe bagëtia ka ngelur e izoluar nga uji.
Prishtinë - Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një strategjie të përbashkët, planifikojnë që t’i shpërbëjnë strukturat paralele në tri komunat e rebeluara të veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, duke i futur ato nën autoritetin e Prishtinës zyrtare.
Për këtë strategji vepruese, e cila u publikua pjesërisht për media, u deklaruan të enjten edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith dhe kryeministri, Hashim Thaçi.
Strategjia, sipas tyre, bazohet në faktin se, as ICO e as institucionet e Kosovës, nuk i njohin strukturat paralele që veprojnë në këtë rajon të vendit.
Beograd - Tendosen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë, dy ish vendeve Jugosllave. Presidenti serb Boris Tadiq ka kërcënuar kroatët, se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të sapozgjedhur në Kroaci, Ivo Josipoviq, në rast se atje ftohet edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Ceremonia e betimit të pasuesit të Stjepan Mesiqit, është planifikuar për 18 shkurt, por që Tadiq ka përforcuar retorikën e tij, duke thënë se ai do të marrë pjesë në çdo takim rajonal, ku Kosova do të përfaqësohej si UNMIK-Kosova dhe jo si shtet.
Komenti i Tadiqit pason presionet e serbëve në Kroaci, të cilët i kanë kërkuar Josipoviqit që të mos vizitojë Kosovën, siç bëri Stjepan Mesiq, në fund të mandatit të tij presidencial.
|