• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajmet BLIC - edicioni i parë |
e Martë, 26 Janar 2010 08:49 |
Dragash - Të enjten mbahet mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Dragashit, në të cilën do të shqyrtohen pesë pika të rendit të ditës, përfshirë edhe pikën e fundit, e cila është rezervuar për eventualitete. Në këtë mbledhje pritet të zgjidhet kryesuesi i Kuvendit dhe komitetet komunale, ndërkohë që do të debatohet edhe për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës.
Në pikën e katërt të rendit të ditës, pritet të zgjidhet edhe nënkryetari i Komunës, nga radhët e minoriteteve.
Prizren - Dy taborret politike në Prizren, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dje filluan fushatën për të marrë postin e kreut të komunës, në balotazhin e dytë që do të zhvillohet më 31 janar.
Kandidati i PDK-së, Ramadan Muja, gjatë vizitës që bëri në tregun e plaçkave “Qylhan” dhe në fabrikën “Progres”, është interesuar rreth forcës aktuale blerëse të qytetarëve, ndërsa premtoi angazhimin e tij për zvogëlimin e papunësisë në këtë komunë. Kandidati i LDK-së, Hanefi Muharremi, në një konferencën për media, tha se LDK-ja bashkë me koalicionin “Lidhja për Prizrenin” është zotuar që do ta respektojë ligjin, do të jetë transparente dhe do ta luftojë korrupsionin. Ai kritikoi kryetarin aktual për, siç tha, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe të hapësirave publike komunale, për interesa partiake. Prishtinë - Grupi Punues për Liberalizimin e Vizave do të mbajë sot një takim, ku pritet të marrë pjesë, Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, dhe anëtarët e Grupit ndërministror, përgjegjës për koordinimin dhe zbatimin e Udhërrëfyesit dhe Planit të Punës për Liberalizim të vizave.
Në këtë takim pritet të diskutohen të arriturat dhe sfidat që janë evidentuar gjatë zbatimit të Udhërrëfyesit dhe Planit të Punës për Liberalizim të Vizave.
Prishtinë - Ambasadori francez në vendin tonë, Zhan Fransua Fitu, ka deklaruar se Kosova ka një perspektivë evropiane, perspektivë kjo që do të përkrahet nga Franca.
Në një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasnqi, diplomati fancez ka shprehur qëndrimin, se strukturat paralele serbe në Kosovë nuk do të mund të vazhdojnë gjatë, dhe se ato do të zëvendësohen nga institucionet legjitime.
Prishtinë - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kristofer Dell dhe ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, sot në Prishtinë do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi lidhur me ndihmën në reformimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Sipas këtij Memorandumi, Departamenti amerikan i Shtetit do të sigurojë edhe një specialist për draftimin e legjislacionit, i cilit do të punojë rreth këtyre çështjeve në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës.
Prishtinë - Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie ka deklaruar se misioni i Kombeve të Bashkuara nuk ka pasur asnjë rol në hartimin e strategjisë për veriun e Kosovës.
“UNMIK-u nuk ka pasur asnjë rol në përpilimin e kësaj strategjie dhe as që është konsultuar lidhur me këtë çështje”, ka thënë Geekie për mediat serbe.
Ai madje ka thënë se, kjo strategji, as që është prezantuar para UNMIK-ut, andaj ky mision nuk mund të ketë qëndrim të caktuar lidhur me këtë çështje.
Gjilan - Një 44-vjeçar nga Përlepnica e Gjilanit, është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim, pasi ai ka rrahur bashkëshorten dhe me pas kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të saj, konfirmoi policia në Gjilan.
Zëdhënësi rajonal i Policisë në Gjilan, togeri Ismet Hashani, tha se rasti i cilësuar si vrasje në tentativë, ka ndodhur të dielën në fshatin Përlepnicë, të cilin e ka paraqitur viktima dhe, gjatë kontrollimit të shtëpisë së të dyshuarit, janë gjetur disa armë dhe thika.
Hashani tha se, sipas viktimës, ajo ishte rrahur nga bashkëshorti i saj dhe, derisa ka tentuar të ikë nga shtëpia, bashkëshorti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të saj.
Prishtinë - Sindikata e Ndërtimtarisë ka reaguar lidhur me çimentoren “Sharr-Cem”, e cila, sipas tyre, me apo pa përgjegjësinë e AKP-së, tani ka renë në duart e firmës “Titan” të Greqisë. Burime brenda AKP-së thonë që komercializuesi i deritanishëm “Hoder Bank” nga Zvicra është tërhequr 6 muaj para kohe dhe se kjo gjendje do të zgjasë për kaq kohë, derisa ndërmarrja të hidhet në privatizim.
Ndërmarrja “Sharr-Cem” është njëra prej ndërmarrjeve shoqërore, të komercializuara pas luftës dhe vlerësohej si kompania më e suksesshme në vendin tonë, ku janë punësuar 500 punëtorë.
|