• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Lajmet - BLIC
e Enjte, 18 Shkurt 2010 15:15

Dragash
- Në qendër të Dragashit, sikurse në mbarë Kosovën, është organizuar një koncert, për ta shënuar dyvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit tonë.
Zyrtarët komunalë, fillimisht kanë mbajtur një akademi solemne në sallën e Kuvendit Komunal, pastaj kanë vizituar varrezat e dëshmorëve në Dragash dhe Buçe, ku iu kanë bërë homazhe të rënëve në luftën që solli lirinë e vendit tonë.
Manifestimi qendrorë është organizuar në ambient të hapur, në Sheshin e dëshmorëve, ku para publikut janë paraqitur grupe artistike nga Opoja dhe Gora, si dhe këngëtarë nga trevat tjera kosovare. I tërë manifestimi ka kaluar pa asnjë incident.
Bresanë - Shkurti i këtij viti për shkollën fillore dhe të mesme të ulët “28 Nëntori”, në fshatin Bresanë, filloi me një angazhim shtesë për mësim, disiplinë dhe sensibilizim të mësimdhënësve për punë dhe aktivitete të lira.
Drejtori i kësaj shkolle, Ajet Reshiti, organizoi një aksion me nxënësit dhe prindërit e tyre, me qellim të dezinfektimit gjeneral të ambienteve të shkollës. Sipas Reshitit, ky aksion rezultoi me largimin e një sasie të madhe të bërllokut, i cili kishte fjetur brenda shkollës për shumë vjet. “Me këtë aksion ne larguam bërllokun, i cili vite me radhë nuk ishte pastruar në vendet e fshehta të objektit. Aksione të ngjashme, në dobi të shkollës, do të  ndërmarrim edhe në të ardhmen, sepse edhe objektet e jashtme janë të lëna pas dore”, tha Reshiti.
Prishtinë - Krerët e institucioneve, që merrnin pjesë në një mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës, thanë se gjatë dy vjetëve të funksionimit të shtetësisë, është arritur të dëshmohet se Kosova e pavarur është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Në seancë merrnin pjesë edhe përfaqësues të subjekteve politike, shoqata dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë, si dhe mysafirë nga Shqipëria dhe vendet tjera fqinje. 
Presidenti Fatmir Sejdiu tha se në vitin e tretë të shtetësisë, synim kryesor do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se në dy vjetorin e shtetësisë, Republika e Kosovës është vend i konsoliduar, me të cilin secili qytetar duhet të ndihet krenar.
Graçanicë - Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Branislav Gërbiq, e ka thyer akullin të mërkurën, duke u bërë zyrtari i parë serb që ka marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, kushtuar dyvjetorit të pavarësisë së vendit.
Gërbiq, i cili është anëtar i Grupit Parlamentar për Integrim, ndonëse ka ardhur në seancën solemne me 10 minuta vonesë, u është bashkuar kolegëve të tij dhe ka dëgjuar fjalimin e zyrtarëve më të lartë të shtetit.
Pjesëmarrjen në seancën solemne Gërbiq e ka quajtur veprim normal.
Prishtinë - Në dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës, eurodeputetja Doris Pack kritikoi vendet e Bashkimit Evropian, që nuk kanë njohur ende pavarësinë e vendit tonë.
Edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, kërkoi që vendet e mbetura në BE të njohin Kosovën. Lunacek vlerësoi se gjatë vizitës së ardhshme në Beograd, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, duhet të sqarojë se inkuadrimi i Serbisë në BE, nuk do të jetë i mundur pa njohjen e Kosovën.
Beograd - Në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës, liderët serbë në Beograd kanë përsëritur, se kurrë nuk do të heqin dorë nga Kosova.
Presidenti, Boris Tadiq, ka deklaruar se Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, duke vlerësuar se plani për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, është kërcënim për stabilitetin e rajonit.
Ndërkaq, Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka paralajmëruar se Beogradi do të vazhdojë luftën për ruajtjen e Kosovës, derti në vendimin përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Beograd - Ish-kryeministri serb, Vojislav Koshtunica, ka akuzuar Qeverinë e Serbisë, se ka nënshkruar një marrëveshje sekrete me EULEX-in, për njohje të kufijve të Kosovës. “Pushteti i tanishëm ka nënshkruar marrëveshje sekrete me EULEX-in, për njohje të kufijve të Kosovës, e cila zbatohet ilegalisht, sepse nuk është shpallur në gazetën zyrtare të Republikës së Serbisë. Është e qartë se kjo marrëveshje është kundërkushtetuese dhe për këtë arsye pushteti aktual po e zbaton ilegalisht”, ka thënë Koshtunica.
Mitrovicë - Dy shtetase bullgare janë arrestuar, pasi kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës. Ato janë ndaluar në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - Jarinje. “Nga drejtimi i Kosovës, drejt Serbisë ka arritur një kombi, të cilin e drejtonte i dyshuari, i nacionalitetit rom dhe në të ndodheshin dy femra, shtetase të Bullgarisë”, ka njoftuar Policia.
Gjatë kontrollimit të dokumenteve, është vërejtur se dy shtetaset bullgare kishin vulën e ndalim-hyrjes në Republikën e Kosovës, të lëshuar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, më 08 shkurt të këtij viti, por që ato nuk e kanë përfillur dhe kanë arritur të hyjnë ilegalisht në Kosovë.
Zagreb - Ivo Josipoviq, është inauguruar në postin e presidentit të Kroacisë, duke premtuar luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për kroatët. Josipoviq, 52-vjeçar, është anëtar i Partisë Socialdemokrate opozitare, ndërsa nga sot bëhet presidenti i tretë, që nga pavarësimi i Kroacisë, në vitin 1991.
Në mesin e afro 70 delegacioneve shtetërore, në inaugurim mori pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndërkaq presidenti i Serbisë fqinje, Boris Tadiq, nuk mori pjesë, në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së presidentit, Fatmir Sejdiu.
Share