• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Një tregim pesëmilionësh!
Nga: Gazeta Express   
e Hënë, 01 Mars 2010 18:37
RilindjaMë shumë se pesë milionë euro të buxhetit të Kosovës, llogaritet të kenë shkuar kot, në tërë procesin e komplikuar të rinovimit të ish-Pallatit të Medieve “Rilindja” në Prishtinë. Marrje vendimesh, të cilat më vonë janë shfuqizuar, si të paligjshme, e të cilat me vete kanë sjellë edhe gjoba të majme financiare, ka bërë që për këto miliona të humbura, askush deri më sot të mos japë kurrë përgjegjësi.
Gazeta Express ka siguruar dokumentet kryesore, të cilat vërtetojnë se nga shpallja e tenderit për rinovim të këtij objekti, në vitin 2004, e deri më tash, humbja e parave të taksapaguesve ende nuk ka përfunduar. Kjo, për faktin se ende vazhdon një proces gjyqësor, në lidhje me këtë çështje.
Tenderi për rinovimin e objektit është shpallur në vitin 2004, kur ministër i Shërbimeve Publike në atë kohë, ishte Jakup Krasniqi, tash kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kompania “Çlirimi”, në dhjetor të atij viti, me ofertë prej rreth 12 milionë eurosh, kishte fituar tenderin për rinovim dhe kishte nisur menjëherë punën. Ndërkohë, ministri Krasniqi është ndërruar dhe në këtë post kishte ardhur Melihate Tërmkolli. Por, një muaj më vonë, më 26 janar 2005, ish-ministrja Tërmkolli merr një letër zyrtare nga Marian Nieora, drejtues i Zyrës Rajonale për Prishtinë, nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në këtë dokument, pasi jepen të gjitha sqarimet, thuhet se objekti i “Rilindjes”, bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut 2002/12, është nën administrimin e AKM-së. Aty sqarohet se ish-NPSH Rilindja i është drejtuar edhe ish-PSSP-së që t’ia rikthejë në shfrytëzim ndërtesën, duke bërë që objekti të jetë kontest pronësor ndërmjet AKM-së dhe kësaj ndërmarrjeje.
Ish-ministrja Melihate Tërmkolli, tri javë pas marrjes së kësaj letre, më 14 shkurt 2005, në mënyrë të njëanshme, ia shkëputë kontratën kompanisë “Çlirimi”. E nënshkruar si njoftim për pezullimin e përkohshëm të punimeve në kompleksin “Rilindja”, një ditë më vonë, më 15 shkurt 2005, njoftimi i saj është shndërruar në vendim të plotfuqishëm, me nënshkrim edhe nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Arsyetimi i ministres Tërmkolli për shkëputje të njëanshme të kontratës me kompaninë “Çlirimi”, sipas dokumentit 01 Nr. 193, të datës 14 shkurt 2005, ishte “për kontest rreth çështjeve të pronës ndërmjet ish-AKM-së dhe ‘Rilindjes”.
Ky dikaster ka formuar menjëherë një Komision të Pavarur Vlerësues, për punët që kjo firmë i ka kryer brenda atyre dy muajve. Në qershor 2005, komisioni vendos që nga buxheti i ish-MSHP-së, kompanisë “Çlirimi” t’i paguajë dëmshpërblim prej 765 mijë eurosh. Sipas dokumenteve të siguruara nga Expressi, pagesa e këtyre parave në llogari të kompanisë “Çlirimi” është bërë më 24 qershor 2005. Por, kompania nuk është ndalur me kaq. Drejtuesit e saj kanë vlerësuar se shkëputja e kontratës, u ka sjellë dëme të mëdha.
Në vitin 2006, kompania e hedh në gjyq ish-MSHP-në, tash Ministria e Administratës Publike, dhe Qeverinë e Kosovës, duke bërë që Gjykata Supreme, në fund, t’i japë të drejtë firmës private. Kështu, nga buxheti i Kosovës, kompanisë “Çlirimi” i janë paguar edhe më shumë se 1 milion e 500 mijë euro. Këto para janë paguar vetëm për një pikë të padisë së bërë nga firma private. Ndërkohë, pika e dytë e padisë, për dëmin material që i është shkaktuar kompanisë, me shkëputjen e njëanshme të kontratës nga ish-MSHP-ja, është kthyer në rishqyrtim dhe procesi gjyqësor ende vazhdon.
Humbjen e milionave në këtë rast e pranon edhe vetë Jakup Krasniqi. Ai sqaron se nga shkurti i vitit 2005, kur është shkëputur kontrata në mënyrë të njëanshme nga Melihate Tërmkolli, buxheti i Kosovës, ka humbur më shumë se 5 milionë euro. Por, thotë të jetë i bindur se kur ka qenë ministër i ish-MSHP-së, kompania “Çlirimi” ka fituar tenderin, duke respektuar të gjitha procedurat “Jam i bindur se procedurat kanë qenë në rregull, kur i është dhënë tenderi kompanisë ‘Çlirimi’. Dua të them se, sikur të pyetesha personalisht vetë, ndoshta nuk do t’ia kisha dhënë fare tenderin kësaj kompanie”, , thotë Krasniqi për Express, pa sqaruar shumë arsyet.
Krasniqi tregon se bazuar në ligj dhe vlerësimet e bëra, tenderin kësaj kompanie ia ka dhënë institucioni i pavarur, që ka vepruar brenda ish-MSHP-së, e që ishte Agjencia e Prokurimit Publik. “Konsideroj se ajo ka qenë oferta më e lirë në atë kohe”, thotë Jakup Krasniqi, duke sqaruar se është i gatshëm të japë përgjegjësi për çdo kohë, në të cilën ai ka qenë ministër. “Përgjegjësinë për këto humbje duhet ta mbajnë ata që e kanë shkelur ligjin”, thotë ai, i gatshëm të përkrahë ngritjen e një komisioni për të hetuar tërë këtë çështje.
Krasniqi pranon se buxhetit të Kosovës i janë shkaktuar shumë humbje. Ai vetë i bën llogaritë. "Tenderi i parë ka qenë rreth 12 milionë euro, e tash është dhënë për rreth 15 milionë. Pra, 3 milionë më tepër. Plus 2 milionë që Qeveria është dënuar nga Gjykata për shkak se ka shkelur procedurat, që do të thotë janë 5 milionë euro”, thotë Jakup Krasniqi. “Shto kësaj që në mungesë të këtij objekti, shumë institucione kanë qëndruar me qira për pesë vjet, atëherë humbjet janë edhe më shumë se 5 milionë euro”, thotë ish-ministri Jakup Krasniqi.
Por kështu nuk mendon Melihate Tërmkolli, e cila si ministre e ish-MSHP-së, menjëherë pas Jakup Krasniqit, ia ka ndërprerë kontratën kompanisë “Çlirimi”. “Kuvendin të cilin e kontrollon Hashim Thaçi, në dy seanca të ndara, për shkak të pronësisë së pazgjidhur, ka marrë vendim të mos bëhet rinovimi. Përkundër kësaj, Qeveria prapë ka investuar”, thotë Tërmkolli për Express. Sipas saj, ekzekutivi i vendit e ka në kontroll edhe gjyqësorin, duke bërë që me vendim të prerë, 1 milion e 500 mijë euro t’i jepen firmës. “Kjo firmë me gjasë është e tyre dhe kështu korrupsioni po vazhdon”, thotë ish-ministrja Tërmkolli, e bindur se problemi i pronësisë së “Rilindjes”, ende ekziston. “Absolutisht po, sepse askush nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër që ai objekt është pronë e Qeverisë. Së paku nuk jam e njoftuar se ka dikush ndonjë vendim të tillë”, thotë ajo. “AKM-ja në atë kohë më ka sjellë shkresën në të cilën më ka thënë se investimet nuk mund t’i ndalin, por se ata nuk marrin përgjegjësi kur ta qesin objektin në shitje”, citon ajo letrën e datës 26 janar 2005, të dërguar nga Marian Nieora, ish-Drejtues i Zyrës Rajonale në Prishtinë në AKM . “Kanë qenë në pyetje 12 milionë. Ka qenë arsyeja të mos hidhen paratë në lloç. E pse ata kanë lidhur kontratë dhe pse tash e kanë bërë rinovimin pa u sqaruar pronësia, është çështje e tyre”, shpjegon Tërmkolli. “Nëse objekti privatizohet, investimi nuk shkon dëm, se i marrin këta që e kanë bërë. I kanë bërë planet mirë. Unë i kam dërguar tri apo katër kërkesa në gjykatë, ka katër-pesë vjet, e asnjëherë nuk janë shqyrtuar. Se këta janë diktatorë, por të vegjël”, thotë ish-ministrja Melihate Tërmkolli, tash deputete e Kuvendit të Kosovës. Ajo rikujton se asaj kompanie i është paguar dëmshpërblimi, derisa ka qenë vetë ministre pas vlerësimit të Komisionit të Pavarur të Ministrisë, të krijuar më 4 prill 2005. Pagesa e dëmshpërblimit prej 765 mijë eurove, kompanisë i është kryer më 24 qershor 2005. Por, përmes avokatit Sahit Bibaj, e pakënaqur me shumën e parave si dëmshpërblim që kishte marrë, kompania në vitin 2006 e ka hedhur rastin në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë. Ajo ia ka njohur kompanisë pikën e parë të padisë- humbjen e fitimit, por i ka refuzuar të dytën. “Çdo kontratë e shkëputur njëanshëm, bart me vete edhe pasojat materiale”, thotë avokati Bibaj për Express. Sipas tij, lënda ka shkuar në Gjykatën Supreme, edhe ajo e ka vërtetuar pikën e parë të padisë, kurse sa i përket pikës së dytë, ajo ka vendosur që lënda të kthehet në rishqyrtim.
Majlinda Lulaj, zyrtare për media në Ministrinë e Administratës Publike (ish-MSHP), tregon për Express se vendimi i prerë i Gjykatës Supreme i ka kushtuar buxhetit të Kosovës, përveç atyre 765 mijë eurove të dhëna “vullnetarisht” nga Ministria, edhe 1 milion e 442 mijë e 695 euro e 24 centë. “Plus në emër te dëmit material, 99 mijë e 793 euro e 63 centë, pra gjithsej 1 milion e 542 mijë e 488 euro e 87 centë, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore, në shumë prej 4 mijë e 707 eurosh. Pagesa tashmë është ekzekutuar”, thotë Lulaj për Express.
Drejtori i kompanisë “Çlirimi”, Sali Daka, pyetjen e Expressit se edhe sa para kërkon që kjo çështje të mbyllet, meqë deri më tash ka marrë më shumë se dy milionë euro dëmshpërblim, e quan joprofesionale. Ai nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e mundshëm të gjykatës në lidhje me pikën e dytë të padisë, të cilën Gjykata Supreme e ka kthyer në rishqyrtim. “Është çështje e gjykatës se çfarë vendos dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë. Varet nga gjykata dhe nuk dua të paragjykoj”, thotë drejtori Sali Daka. Tash, pesë vjet më vonë, është nxjerrë një vendim qeveritar, me numër 02/4, në bazë të të cilit parashihet plani i vendosjes së institucioneve qeveritare nga objektet private në objekte publike. Parashihet që hapësirat të jenë të mjaftueshme për 800 persona.
Share