• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Bekimi, që nuk e merituam!
Nga: Imer MUSHKOLAJ   
e Martë, 29 Qershor 2010 19:23

imer_mushkolaj


Imer MUSHKOLAJ - Anëtar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës
 
BEKIMI, QË NUK E MERITUAM!
 
Dy rreshta testamenti i dhanë vulë një të vërtete të njohur, por të mohuar. Gjysmë shekulli më parë, Bekim Fehmiu po shëtiste Kosovën me shfaqje të Abdurrahman Shalës. Po luante shqip. Këtë fakt, ai e kishte vënë si P.S. në testamentin e tij. Si për t’iu përgjigjur disa kolegëve artistë të Prishtinës, të cilët për dekada me radhë kishin propaganduar dhe ishin përpjekur ta njollosin Bekimin e madh, duke trumbetuar se ai nuk kishte luajtur asnjëherë shqip. Rrjedhimisht, sipas mendjes së tyre të sëmurë, ai nuk mund të ishte shqiptar. Me logjikën e tyre primitive, ata kishin prodhuar edhe të tjera shpifje të ulëta. Me lehtësi të padurueshme kishin thënë, jo vetëm njëherë, se Bekimi kishe refuzuar të luante në shfaqjet dhe filmat e tyre, se ishte njeri me të cilin nuk mund të punohej e çka jo tjetër.
Të hënën, disa nga ta ishin në Kinemanë ABC, ku për Bekimin po bëhej më e pakta që mundej për një kolos arti. As që e kishin pritur se Bekimi do t’i “demantonte” për së vdekuri. Me dy rreshta testamenti, pas fjalëve më të mira për emrat më të mëdhenj të skenës dhe filmit kosovar. Emra me të cilët u ngjit në skenë gjatë kohës sa ishte pjesë e Teatrit të Kosovës. Para se të niste rrugën drejt famës botërore, drejt majave të suksesit, që këta kinseartistë as që guxonin t’i mendonin. Sepse ishin të vegjël, në shpirt e në mendje. Bekimi për ta ishte i paarritshëm dhe të vetmet “armë” në duar iu kishin mbetur shpifjet, shantazhet, intrigat e rrenat.
Jo pak njerëz iu besuan dhe krijuan mendim aspak real për Bekimin. U desh që ai të shkojë nga kjo botë, për ta kuptuar sa i madh kishte qenë, ç’merita kishte pasur e sa krenarë na kishte bërë. Gjithandej, në dërrasa teatri e në sheshe xhirimi. Por, jo të gjithë e patën të lehtë të përballen me të vërtetën për Bekimin. Sikur u kishin besuar si shumë të paqenave për të.
Kuvendi nuk denjoi të mbante një minutë heshtje, në kujtim të tij. Me gjuhën e mësuesve të katundeve të harruara, u tha se kërkesa do të duhej të kalonte nëpër procedura. Kjo i bie që dikush nga deputetët të bëjë kërkesë dy javë përpara, për të mbajtur një minutë heshtje për dikë që do të duhet ndërruar jetë! Nuk është për t’u çuditur me plot kiç deputetë, të cilëve rastësisht iu ka rënë rruga kah Kuvendi, por është për të ardhur keq për njerëz të kulturës, të veshur me petk deputeti, të cilëve nuk iu dëgjua zëri në këtë rast. Një minutë heshtje nuk u mbajt. Dhe mirë bënë që nuk e mbajtën. Sepse, vetëm do ta kishin fyer Bekimin e ndjerë. Vetëm do ta kishin fyer kujtimin për të, për njeriun të cilin asnjëherë nuk u kujtuan ta takojnë për së gjalli, ta ftojnë e ta nderojnë. E patën, por nuk e deshën. Apo ndoshta u frikësuan, se përpara tij do të ktheheshin në identitet: njerëz pa dinjitet, pa nder, njerëz makijazh. E Bekimi ndodhej aty, pak metra larg tyre: në Kinemanë ABC, të cilën këta tipa e vizitojnë zakonisht për të shitur pallavra nëpër akademi përkujtimore, shik e me kravata, të ulur në rreshtat e parë. Të hënën, ky soj nuk u pa në mbledhjen komemorative. Dhe bënë mirë që nuk erdhën, sepse nuk iu kishte mbetur fytyrë të vinin.
Bekimi nuk ka nevojë për ta, siç nuk pati as për së gjalli. Janë ata, ata dhe të tjerë, që tash përpiqen të marrin të paktën një grimë nga lavdia e tij. Qoftë edhe duke dërguar telegrame ngushëllimi me një ditë vonesë, mbase në mëdyshje se a duhet fare dërguar telegram. Sepse, Bekimi nuk ishte i tyre: ai nuk kishte luajtur asnjëherë shqip - sipas atyre që kinse bëjnë art në moçalin “kulturor”, pjesë e të cilit Bekimi kurrë nuk u bë.
Ashtu siç e zgjodhi rrugën e suksesit, Bekimi e zgjodhi edhe vdekjen, edhe përjetësinë. Si për t’ua kujtuar sa të vegjël janë të gjithë atyre që u përpoqën ta bëjnë të vogël, ai vendosi që hiri i trupit të tij të prehet në Lumbardhë të Prizrenit. Për të rrjedhur gjithmonë. Dhe, si për t’i lënë të tjerët në moçal. Aty ku edhe e meritojnë. Me ca kallame që rriten e bien dhe me erën që rëndë kundërmon.
Zoti na bekoi me dhuratë të çmuar, por ne nuk e merituam. Bekim, na fal që je yni!
 

Share