Dragashi shijoi borën e parë të këtij viti! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Mërkurë, 27 Tetor 2010 11:30 |
Dragash - Mëngjesi i së mërkurës, në komunën e Dragashit ka zbardhur, tamam si një mëngjes dimri të ashpër, por pa ngrica. I gjithë territori i kësaj komune malore të Kosovës, ishte veshur me petk të bardhë, ndërkohë që reshjet e borës vazhdonin furishëm, sikur të ishte kulmi i dimrit dhe jo mesi i vjeshtës. Megjithatë, kah ora 10:00, të reshurat kanë pushuar dhe bora ka nisur të shkrihet, falë temperaturës, mbi zero.
Të dhënat nga terreni bëjnë me dije se bora kishte mbërthyer gjithë territorin e komunës së Dragashit dhe një pjesë të komunës së Prizrenit, deri në afërsi të fshatit Billushë. Gjithashtu, të dhënat nga terreni bëjnë me dije se borëpastruesit, rreth orës 10:00 kanë mbërritur në Dragash dhe menjëherë kanë intervenuar për largimin e borës nga rrugët rajonale. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe borëpastruesit e komunës, të cilët kanë në përgjegjësi mirëmbajtjen e rrugëve lokale.
Vlenë të theksohet se trashësia e borës ka arritur deri në 20 centimetra, në viset më të larta, ndërsa në qytezën e Dragashit, trashësia nuk ka kaluar mbi 10 centimetra.
Aktualisht, në mbarë territorin e komunës së Dragashit po mbretëron mot me mjegull të dendur, por pa të reshura. Meteorologët parashikojnë që moti të përmirësohet në javën tjetër, duke filluar përmirësimin gradual, nga kjo fundjavë. |