Nevojtarët e ndien dorën e Kryqit të Kuq! |
e Hënë, 10 Janar 2011 14:07 |
Dragash, 10 janar 2011 - Kryqi i Kuq i Kosovës, dega në Dragash, ka bërë të ditur se, në prag të festave të fundvitit iu ka dalë në ndihmë pesëdhjetë familjeve nevojtare, të cilat vazhdojnë të mbesin shtresa më e rrezikuar e shoqërisë, në aspektin ekonomik. Sekretari i Kryqit të Kuq të Kosovës, në Dragash, Muamer Rexhepi, tha për radion tonë se, nga data 25 dhjetor, kjo organizatë ka bërë shpërndarjen e ndihmave për 50 familje nevojtare nga komuna e Dragashit, të cilave sadopak ua ka zbutur gjendjen e rëndë ekonomike, sidomos gjatë kësaj periudhe dimërore. “Ndihmat e shpërndara kanë qenë donacion nga Federata e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Konkretisht, këtyre familjeve u kemi shpërndarë batanije, dyshek, pako ushqimore, pako higjienike, miell dhe gjësende të tjera, për të cilat më së shumti është ndier nevoja”, tha Rexhepi. Sipas tij, organizata që drejton ai, do të vazhdoj edhe në të ardhmen tua shtrij dorën nevojtarëve, aq sa do të ketë donacione për këtë qëllim. Njëherësh, Rexhepi ka apeluar edhe tek familjet nga komuna e Dragashit, që kanë gjendje të mirë materiale, që të bashkëpunojnë me Kryqin e Kuq, në mënyrë që të njihen me nevoja që kanë familjet e varfra, si në veshmbathje ashtu edhe në gjëra ushqimore. “Ka shumë familje që nxjerrin nga përdorimi, sidomos veshmbathje, e për të cilat dikush ka nevojë. Prandaj është mirë që të tilla gjëra të sillen tek ne, e që mëpastaj t’ua dedikojmë nevojtarëve, sepse ne më së miri i njohim ata”, apelon Rexhepi.
|