• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Rugova, figurë kyçe e historisë kosovare!
e Premte, 21 Janar 2011 12:28

ibrahim_rugovaPrishtinë, 21 janar 2011
 - Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, mbetet një nga figurat më të respektuara, i cili kishte organizuar lëvizjen politike më të madhe shqiptare në Kosovë dhe ishte angazhuar për një projekt politik fisnik. Kështu e vlerësojnë figurën e Ibrahim Rugovës, disa prej bashkëpunëtorëve të tij dhe bashkëthemelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Profesori, Sabri Hamiti, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerëson se, me veprimtarinë e tij, presidenti Rugova është bërë figura themelore politike, në historinë e re të Kosovës. “Është provuar dhe është e sigurt që Ibrahim Rugova është figura themelore, figura më e rëndësishme politike në historinë e re të Kosovës, për shkak se ka organizuar lëvizjen politike, demokratike, më të madhe të shqiptarëve, të cilën lëvizje e ka kthyer në kërkesat dhe artikulimin e vullnetit historik të shqiptarëve për liri dhe pavarësi të Kosovës. Këtë vullnet, ai ka arritur, përmes lëvizjes së vet, ta bëj vendim institucional. Për të përmbyllur, Rugova ka projektuar, i ka prirë idesë dhe e ka realizuar pavarësinë e Kosovës, në mënyrë institucionale”, thotë Hamiti.
Ndërkaq, profesori, Milazim Krasniqi, poashtu bashkëpunëtor i presidentit Rugova dhe bashkëthemelues i LDK-së , thotë se presidenti i ndjerë i Kosovës ka qenë njeriu i cili ishte angazhuar për vlerat më të larta të botës demokratike. “Ajo që tashmë mund të thuhet, në planin historik, është se Ibrahim Rugova është angazhuar për një projekt politik fisnik, i cili konsistonte në zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës dhe për një tolerancë të dukshme, në raport me kundërshtarët politik, por edhe me grupet etnike në përgjithësi. Kjo është njëra nga vlerat dhe standardet më të lartë edhe të ditës së sotme demokratike”, thotë Krasniqi.
Megjithëkëtë, të dy këta themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pesë vjet pas vdekjes së presidentit Rugova, kanë mendime të ndryshme, lidhur me atë që tash njihet si "trashëgimi dhe filozofi rugoviane". Profesor Krasniqi vlerëson se kjo trashëgimi, tashmë është e pretenduar nga disa subjekte politike. “Në planin politik, sot jetojmë me një trashëgimi që quhet rugoviane, e cila është parcializuar në tri subjekte të ndryshme politike që pretendojnë mbi atë trashëgimi. Por, shumë herë, edhe vet ata nuk e dinë saktësisht se cilat janë vlerat eventuale të asaj trashëgimie. Kjo, në njëfarë mënyre, flet edhe për këtë largim nga autenticiteti i saj”, thotë Krasniqi. Por, profesor Hamiti thotë se Lidhja Demokratike është e vetmja që ka qenë dhe ka mbetur parti e Ibrahim Rugovës. “Unë shkurt e them se, përtej LDK-së nuk ka LDK. Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet parti e Ibrahim Rugovës edhe si filozofi veprimi, edhe si strukturim, edhe si përgjegjësi para qytetarëve dhe përgjegjësi para historisë, edhe para programit fundamental të lëvizjes rugoviane. Problemi i grupacioneve, të cilat duan të identifikohen me atë filozofi, aq më mirë. Le të identifikohet kush të dojë, por, në kuptimin organizativ, ekziston një LDK dhe s’ka tjetër”, thotë Hamiti.
Ndryshe, profesor Krasniqi vlerëson se 5 vjet pas vdekjes së presidentit Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është më ajo që ka qenë në kohën e udhëheqësit të saj. “Mund të them se LDK-ja e sotme nuk është as ‘hija’ e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e ka drejtuar Ibrahim Rugova. Nuk është as në planin e fuqisë politike e as të mënyrës së komunikimit brenda partiak. Parti që, në njëfarë mënyre, ka hequr dorë prej historisë së vet, prej autenticitetit të vet. Është një parti e zakonshme që lufton për pushtet. Shumë herë, me mjete joadekuate politike, të cilat nuk janë në raport me vet frymën e Ibrahim Rugovës, i cili më të vërtetë është shquar për afrimin e njerëzve dhe për tolerancë”, vlerëson Krasniqi.
Ndërkaq, profesor Hamiti shton se LDK-ja po ringrihet, pas tronditjes nga humbja e prijësit të saj, Ibrahim Rugova. “Një parti e madhe, e jashtëzakonshme, e provuar historikisht me vlera të jashtëzakonshme kombëtare dhe demokratike. Ajo është tronditur, normalisht, në themele, me shkuarjen e Rugovës. Tash po ristrukturohet edhe me brezin e të rinjve, për të kaluar në nivelin që ka pasur në kohën e Rugovës, si dhe të besimit, mirëkuptimit, solidaritetit dhe të komunikimit politik me zgjedhësit”, pohon Hamiti.
Presidenti Rugova vdiq më 21 janar 2006, pasi humbi betejën nga kanceri në mushkëri. Në ceremoninë e varrimit, pavarësisht motit të keq që mbretëronte, morën pjesë qindra mijëra qytetarë, të cilët prisnin me orë të tëra për të bërë homazhe. /rfe/
 

Share