• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
e Martë, 01 Shkurt 2011 17:54 |
Ku shkoi vota ime?!
• Ashtu siç edhe kishim paraparë, në një analizë paraprake, gjatë fushatës parazgjedhore, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të dhjetorit, dëshmojnë se komuna e Dragashit do të përfaqësohet, vetëm me një deputet në Kuvendin republikan. Ky përfaqësim vjen, falë vendeve të rezervuara për minoritetet, e që në këtë rast, Dragashi do të përfaqësohet nga kryetari i Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG), Mursel Halili, i cili ka tubuar, hiq më shumë se 427 vota! Ndryshe, pa një bashkim forcash politike, Dragashi edhe për shumë kohë, derisa të jetë në fuqi ky sistem zgjedhor, nuk do të ketë përfaqësues në legjislativin e Kosovës.
Se sa plotësohen kriteret e demokracisë, me këtë sistem, vlen të përmendet edhe ky shembull i përfaqësimit të mbi 50 mijë banorëve të komunës së Dragashit, nga një delegat, i cili ende nuk e ka përmendur publikisht fjalën “shtet” për Kosovën. Për më keq, ai në legjislacionin e kaluar të Kosovës vepronte në grupin parlamentar, bashkë me partitë e vogla serbe, ndonëse në këtë komunë nuk ka asnjë pjesëtar të këtij minoriteti!
Nga ana tjetër, kandidati i LDK-së, Hatim Baxhaku, edhe pse ka fituar besimin e 6887 qytetarëve, ka mbetur jashtë përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, ashtu siç ka mbetur edhe kandidati i PDK-së nga kjo komunë, Mevludin Krasniqi, i cili ka tubuar 4842 vota.
Rezultatet përfundimtare, të shpallura nga KQZ-ja, bëjnë të ditur se, nga 12 kandidatë të propozuar nga partitë që kanë shtrirje në Dragash, 4 subjekte politike shqiptare dhe 4 të tjera gorane, një vend në legjislativin e ri të Kosovës do ta ketë, ndonëse në vendet e rezervuara, Mursel Halili, drejtues i Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG), si përfaqësues i “minoritetit” goran. Ai në garën elektorale ka tubuar vetëm 427 vota, por që sistemi zgjedhor dhe ligjet aktuale në fuqi, kanë bërë që 11 garuesit tjerët, të mbeten jashtë Kuvendit shtetëror.
Të kota ishin aspirata e theksuara me pompozitet, për t’i joshur votuesit, kur ky sistem tregoi se është e pamundur që Dragashi të ketë përfaqësues legjitim, me votën e popullit.
Shansi i vetëm që kjo të ndodhte ishte, sikur subjektet politike të nominonin një kandidat të përbashkët. Por, një veprim i tillë vështirë se do të bëhej. Bile, LDK-ja dominoi dy kandidatë nga kjo komunë, duke e rrezikuar edhe më tepër mundësinë e fitores. Ky subjekt nominoi dy kandidatë, PDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja, garuan me nga një kandidatë, por që asnjëri nuk mori vota të mjaftueshme për të hyrë në legjislativ.
Edhe partitë gorane nuk kaluan më mirë. Ato edhe kësaj radhe mbeten të papërfaqësuara në legjislativin më të lartë të vendit, për të cilin synim garuan më të ndarë se asnjëherë më parë.
Vetëm pas publikimit të rezultateve përfundimtare, subjektet politike filluan me ankesa ndaj sistemit zgjedhor, duke u munduar që ta heqin barrën e fajësisë për ndarjet e mëdha që po ndodhin, jo vetëm mes partive të ndryshme, por edhe brenda përbrenda vetë subjekteve.
Komuna më jugore e vendit, me mbi 50 mijë banorë, prej tyre 36 mijë votues, me këtë sistem zgjedhor, assesi nuk mund të jetë e përfaqësuar legjislativin e vendit, përderisa ndasitë nuk do të zëvendësoheshin me unitet dhe mobilizim të përbashkët, duke i lënë anash rivalitetet. Qytetarët e komunës së Dragashit, me të drejtë mund të pyesin se pse votuan, për kë votuan, dhe kush do t’i përfaqësoj në legjislativin republikan? Mbetet vetëm të pendohen, ata që shfaqen, sadopak, radikalizëm para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
|