Prishtinë, 05 prill 2011 - Gjykata e Qarkut në Prishtinë, pas marrjes në pyetje, i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh kryetarit të Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, i cili refuzoi që të dëshmojë në rastin Limaj, të dyshuar për krime lufte. Kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi, nuk po intervistohet në Gjykatën e Qarkut për korrupsion, por për krime lufte. Në fakt, bëhet fjalë për refuzimin që Kuçi ka bërë të dëshmoj në rastin Kleçka. Duke vepruar kësisoj, EULEX e ka ndaluar sot kryetarin e Suharekës, duke e sjellë me dhunë në gjykatore. Fletarrestimi u lëshua, pasi ai refuzoi të paraqitej si dëshmitar në rastin e fundit të arrestimit të ish luftëtarëve të UÇK-së dhe, ku është i përfshirë edhe Fatmir Limaj. Blerim Kuçi ishte në strukturat udhëheqëse të LDK-së, prej nga kaloi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku ushtron funksionin e sekretarit organizativ.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila ka shprehur shqetësimin për burgosjen e sekretarit të saj organizativ dhe kryetar i komunës së Suharekës. AAK e ka ftuar EULEX-in që t’i përmbahet prioriteteve të veta, për sundimin e ligjit në Kosovë, dhe që të mos prek në luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. “EULEX-i ka për detyrë të ndihmojë institucionet e Kosovës, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, që po vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë pre e politikave fashiste të Serbisë së Milosheviqit, ndërsa lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është bërë plotësisht në mbrojtje të jetës së qytetarëve të vendit”, thuhet në reagimin e AAK-së. Kjo parti mbështet dhe respekton qëndrimin e Blerim Kuçit, në mbrojtje të vlerës së luftës çlirimtare në Kosovë. “AAK vlerëson lartë rolin e z. Blerim Kuçi, në të gjitha fazat e lëvizjes për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, si gjatë protestave studentore, lëvizjes paqësore, luftës çlirimtare dhe ndërtimit të institucioneve dhe demokracisë në vend. AAK pret lirimin e shpejtë të z. Blerim Kuçi dhe kthimin e tij të fuqishëm në krye të detyrave, në parti dhe në Komunën e Suharekës”, thuhet në fund të reagimit.
|