Deponia e Dragashit rrezikon të mbyllet! |
e Mërkurë, 04 Maj 2011 19:06 |
Dragash, 04 maj 2011 - Para gjashtë vitesh, kur me një investim nga BE-ja që kapte shumën rreth dy milionë e gjysmë euro, u ndërtua deponia e re në komunën e Dragashit, qytetarët shpresuan se nuk do të rrezikohen më nga mbeturinat. Mjerisht, ky konstatim nuk doli ashtu. Madje, këto ditë flitet se, për shkak të mospërfundimit të rregullt të saj, si dhe pamundësisë së mirëmbajtjes, ajo rrezikon që të mbyllet fare. Zyrtarë të “Eko-regjionit”, kompani kjo që e menaxhon këtë deponi, bëjnë të ditur se problemet kanë lindur për shkak të mospërfundimit të duhur të saj, saktësisht për shkak të mosvendosjes së xham-membranës në gjysmën e kësaj deponie. “Gjysma e kësaj deponie tani është stërmbushur, ndërkaq gjysma tjetër nuk mund të përdoret, ngase i mungon xham-membrana. Kjo rrezikon mbylljen e saj”, thotë Sali Shala, drejtor i njësisë së kësaj kompanie në Dragash. Shala thotë se u është drejtuar edhe institucioneve lokale, por që nuk ka hasur në mirëkuptim. Sipas tij, vetëm për sigurimin e xham-membranës, nevojiten rreth 30 mijë euro, mjete këto që nuk mund t’i sigurojë kjo kompani, për shkak se nuk po mundet t’i arkëtojë borxhet nga institucionet lokale dhe qytetarët, shumë kjo që arrin shifrën rreth 300 mijë euro. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, thotë se Komuna nuk ka mjete për ta rregulluar deponinë, por as që është e obliguar, ngase atë e menaxhon “Eko-regjioni” dhe jo Komuna. Përderisa ekziston ky problem, banorët e fshatrave përreth deponisë, ankohen se rrjedhjet kancerogjene nga kjo deponi rrezikojnë shëndetin e tyre. Aq më tepër, kur në afërsi të saj kullotë bagëtia e tyre. Ekspertë të ministrisë së Ambientit, gjatë një vizite që i kanë bërë deponisë, kanë pasur mjaft vërejtje dhe kanë kërkuar që ajo të rregullohet sipas standardeve dhe të mirëmbahet. Ndryshe, edhe ata kanë paralajmëruar se mund të mbyllet. Ata kanë kërkuar vendosjen e menjëhershme të xham-membranës, aftësimin e cilindrit shtypës, i cili kohëve të fundit ishte në defekt, si dhe disa pajisje tjera. Në të kundërtën, kjo komunë mund të mbetet prapë pa deponi, gjë që do të rrezikonte sërish ndotjen e ambientit, sikurse para gjashtë vitesh.
|