Tjerrtorja “Remateks” vazhdon suksesin! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Enjte, 02 Qershor 2011 10:08 |
Dragash, 02 qershor 2011 - Tjerrtorja e leshit “Remateks” në Dragash, e cila dy vjet më parë e rifilloi prodhimin me rreth 40 punëtorë, me një kapacitet që asokohe trajtohej si kozmetikë, pas një pune mjaft të suksesshme, tashmë ka arritur që të punësojë rreth 500 punëtorë. Me qëllim që të punësohen sa më shumë punëtorë të kualifikuar, drejtuesit e kësaj ndërmarrje, ditë më parë kanë biseduar me strukturat lokale, për të gjetur mundësinë e hapjes së drejtimit të tekstilit, në kuadër të Shkollës së Mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash. “Me aktivizimin edhe të një reparti shtesë, së shpejti do të pranohen edhe 40 punëtorë të rinj. Nga pesë tonë tjerr në ditë, aq sa prodhojmë aktualisht, planifikojmë që të arrijmë në tetë tonë”, ka bërë të ditur, Agim Beshiri, bashkëpunëtor i sapo emëruar i drejtorit turk në këtë tjerrtore. Ai ka thënë se lënda e parë, malloni, deri sivjet është siguruar kryesisht nga Spanja dhe Bjellorusia, ndërkaq, nga një janari i këtij viti, pas riaktivizimit të makinës për larjen e leshit, kapaciteti i së cilës është deri në dy mijë tonë në vit, ka filluar edhe grumbullimi i leshit vendor të deleve. Sipas Beshirit, llogaritet që tani e tutje, nga tregu i vendit do të grumbullohen rreth 300 tonë lesh delesh, ndërkaq sasia tjetër do të sigurohet nga vendet e rajonit dhe më gjerë. “Inkurajon fakti që tashmë është arritur që me një punë intensive, në katër turne, të shfrytëzohen rreth 90 për qind të kapaciteteve prodhuese. Sa i përket eksportit të prodhimit të tjerrit, nuk kemi asnjë problem. Problem mund ta quajmë faktin se nuk mund t’i plotësojnë kërkesat e tregut të vendeve të BE-së, kryesisht në Francë dhe Gjermani”, thotë Beshiri, duke bërë të ditur se në dhjetorin e shkuar, Agjencioni Kosovar i Promovimit të Investimeve (IPAK), kësaj tjerrtoreje ia ka ndarë mirënjohjen “Eksportuesi i vitit”, e cila i motivon drejtuesit e tjerrtores për një punë edhe më të vullnetshme. Do theksuar se kjo tjerrtore, dikur me nam, është riaktivizuar në gusht të vitit 2008, kur një afarist i njohur turk e mori me qira nga pronarët e rinj, pas privatizimit të saj, duke investuar mjaft në renovimin e tërësishëm të këtij objekti dhe të makinave prodhuese. Në këtë mënyrë, sot është arritur që në vazhdimësi të shtohet prodhimi, e bashkë me të edhe numri i punëtorëve.
|