Prizren, 25 korrik 2011 - Gjatë fundjavës, në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur hiq më pak se 45 aksidente trafiku, gjë që llogaritet si një fakt shqetësuar, për të cilin duhet marrë masa, në mënyrë që të parandalohen këto aksidente, apo edhe të hetohen ngasësit e automjeteve për mënyrën se si kanë arritur deri tek patentshoferët.
Policia rajonale e Prizrenit njoftoi sot se, në këto aksidente, tre persona kanë mbetur të vdekur, në 17 aksidente janë shënuar lëndime trupore ndërsa në 28 aksidente të tjera janë evidentuar vetëm dëme materiale. “Aksidenti i parë, që ka rezultuar me fatalitet, ka ndodhur rreth orës 13:00 të së dielës, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Prizren, me ç’rast një ngasëse e veturës, pasi nuk e kishte vërejtur me kohë shenjën që tregonte rrugën njëdrejtimëshe, ka nisur të lëviz prapa me automjetin e saj, por që nga hutia dhe pakujdesia, ka goditur një biçiklist, të cilit i shkakton plagë të rënda”, ka njoftuar sot zëdhënësi i Policisë rajonale në Prizren, Hazir Berisha, sipas të cilit viktima është dërguar në Emergjencën e spitalit rajonal të Prizrenit, por që mjekët vetëm se kanë konfirmuar vdekjen e tij. Hetues të Trafikut rajonal kanë kryer procedurat hetimore dhe, në konsultim me prokurorin, trupi pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Drejtuesja e automjetit është arrestuar dhe po mbahet në Polici. Sipas kësaj të fundit, rasti tjetër ka ndodhur në mbrëmjen e së dielës, në rrugën Nagavc - Krushë e Madhe. Ngjarja ka ndodhur, si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes nga një drejtues kamioni, i cili në një kthesë të rrezikshme e ka prerë atë, duke kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes, me ç’rast është ndeshur ballpërballë me një automjet udhëtarësh të tipit “Golf”. Në Emergjencën e spitalit rajonal të Prizrenit është bërë e ditur se një mashkull dhe një femër kanë ndërruar jetë, ndërsa plagë të rënda kanë marrë katër persona të tjerë. Policia ka kryer procedurat hetimore dhe ka arrestuar shoferin e kamionit.
Pas gjithë këtyre aksidenteve, policia ka apeluar tek drejtuesit e automjeteve që të bëjnë më shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, sidomos kur kihet parasysh se nëpër rrugë po bëhen ndërtime dhe rikonstruktime të mëdha. Njëherësh, policia është zotuar se do ta shtoj dukshëm kontrollin në komunikacion dhe do të jetë “e pamëshirshme” për secilin drejtues automjeti, i cili nuk do t’i përshtatet kushteve të komunikacionit dhe gjendjes në rrugë.
|