• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Modestov: Shqiptarët janë dhuratë e Zoti!
e Premte, 19 Gusht 2011 00:54

beqaj_modestovDragash
- Albanologu rus, Valerij Modestov, tha se shqiptarët janë popull i vyeshëm, tolerant dhe mjaft punëtor, por që sistemet e ndryshme nëpër të cilat ka kaluar ky popull, kanë ndikuar që të mbetet i varfër. Duke i cituar fjalët e shkrimtarit të madh shqiptar, Andon Zako Çajupi, i cili Shqipërinë e pati cilësuar si dhuratë nga Zoti, Modestov e plotëson edhe me një fjali, duke e quajtur edhe popullin shqiptar, si dhuratë e Zotit për njerëzimin. “Pa u ndërlidhur me politikën e shtetit tim, mendoj se shqiptarët janë popull tolerant, punëtor dhe mjaftë të vyeshëm. Fatkeqësisht, sistemet dhe luftërat e ndryshme, kanë lënë gjurmë të këqija në çdo cep të trojeve shqiptare. Mu për këtë, shqiptarët duhet të jenë më të vetëdijshëm dhe të punojnë më shumë, në mënyrë që ta rikthejnë epitetin dhe vlerën e vërtetë të tyre”, tha të enjten Modestov, në një bisedë për Radio Sharrin, gjatë qëndrimit të tij në Dragash.
I shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, si dhe nga bashkëpunëtorja e tij, Oksana Andrejeva, albanologu nga Rusia, Valerij Sergejeviq Modestov, doktor i dyfishtë shkencash, u takua edhe me kryetarin e Komunës së Dragashit, Salim Jenuzin, nga i cili u njoh më shumë për trevën e kësaj komune, përbërjen etnike, bashkëjetesën ndëretnike, si dhe me potencialin ekonomik që ofron ky rajon i skajshëm i Kosovës. Në këtë takim jo-protokolar, ambasadori Lauka e ka njoftuar kryetarin e Dragashit se doktori rus i historisë dhe filologjisë, bashkë me Oksana Andrejevën, janë anëtarë të shoqatës së miqësisë Rusi – Shqipëri dhe njihen si personat që më së shumti u kanë ndihmuar shqiptarëve në Rusi, veçanërisht studentëve që kanë studiuar në këtë shtet.
Profesori Modestov dhe Oksana, janë shtetasit e parë rusë që vizituan Dragashin, duke insistuar që, as në tryezë, të mos u shërbehen ushqime që nuk janë prodhime tradicionale nga kjo trevë. Përpos ajrit dhe ujit, për të cilin thanë se do ta lakmonte çdonjëri, shtetasit rusë mbetën të kënaqur edhe me ushqimin e kësaj treve, për të cilin u përkujdesën dy vëllezër, pronarë të kompanisë private “Meka”, e cila prodhon mish dhe produkte mishi. Kjo kompani ishte destinacion në vete për mysafirët, nga ku mësuan se prodhimi, edhe në këtë komunë, megjithatë mbetet baza më e fortë e ekonomisë. Drejtori i kompanisë, Burim Piraj, si dhe vëllai i tij, Iliri, i njoftuan mysafirët me projektet madhore të kompanisë së tyre, siç është ndërtimi i një reparti të ri prodhues, me standarde evropiane, si dhe renovimin e hotelit në Dragash, të cilin e kanë blerë vitin e kaluar. Mysafirët nga Rusia, ambasadori shqiptar dhe kryetari i komunës, i përgëzuan vëllezërit Piraj, duke i inkurajuar që mos të dorëzohen asnjëherë, pavarësisht se biznesi mund të pësoj ngritje dhe rënie.
Profesori moskovit, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në seminarin e tridhjetë ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, është ndër të parët që ka marrë pjesë edhe në vitin e parë të këtij seminari, më 1974. Ai me nostalgji fletë se si kishte nisur ky seminar dhe sa është rritur sot. “Unë që nga viti 1968 merrem me studimin e popullit shqiptar, gjuhës shqipe dhe gjithçkaje që është shqiptare. Në vitin e parë të seminarit, ishim pak dhe kishte nga ata që mendonin se nuk do të vazhdonte si i tillë. Por, sot jemi dëshmitarë se ky eveniment kulturor ka marrë përmasa shkencore dhe është për ta lakmuar edhe shumë popuj të mëdhenj të botës”, pohon doktori i dy shkencave të ndara, duke mos lënë pa përmendur edhe dëshirën që shteti i tij ta njohë Kosovën sa më parë. Thotë se me tu kthyer në Rusi, do të bëjë ç’është e mundur që ta nxisë politikën moskovite për ta ndryshuar kursin ndaj Kosovës “Pse të mos e njohë shteti im Kosovën, kur të gjitha kushtet janë pjekur dhe, fare nuk është ashtu siç e prezantojnë kundërshtarët e pavarësisë këtë vend. Pastaj... habitem se si është e mundur që mallrat shqiptare nuk gjenden në tregun rus, kur më parë kishte të tilla! Prandaj, punoni me sinqeritet, pa hile dhe mundohuni ta dëshmoni në tërë botën se jeni popull fisnik”, thotë për Radio Sharrin, albanologu nga Rusia, Modestov.
 
 
Share