• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Milaim Kaçka, drejtori i duhur!

restelica_shkollaRestelicë
– Në shikim të parë, djaloshi 26 vjeçar, Milaim Kaçka, nuk të le përshtypjen e një drejtuesi të një shkolle të madhe dhe me shumë probleme, siç është ajo e fshatit më të madh të Dragashit dhe njërit nga fshatrat më të mëdha në Kosovë, Restelicë. I shkolluar në Tuzëll të Bosnjë-Hercegovinës, Kaçka është frymëzuar që t’i shikoj interesat kombëtare, ndryshe nga shumica e bashkëvendësve të tij nga treva e Gorës. Thotë se mburret që i takon komunitetit boshnjak dhe njëkohësisht mburret që Kosova nuk është më një vend i sunduar nga dikush tjetër, por tashmë është shtet sovran dhe demokratik për të gjithë qytetarët e vet, pa dallim kombësie apo feje. “Kosova sot ofron mundësi për të gjithë qytetarët e vet, që të jetojnë pa frikë, pa ndjenjën e diskriminimit dhe, duke u ndier qytetar i barabartë me të gjithë banorët e saj, pavarësisht nëse i takon komunitetit shumicë apo ndonjërit nga komunitetet e shumta pakicë”, thotë Kaçka për Radio SHARRI-n, në fillim të bisedës së tij ekskluzive për publikun.
Shkolla e fshatit Restelicë, që dikur mbante emrin e ditës së Ushtrisë së Jugosllavisë socialiste, 22 dhjetorin, sot është emëruar nga institucionet e Kosovës me emrin e fshatit, ndërkohë që për Ditë të shkollës është caktuar data 17 shtator, datë kjo që, sipas drejtorit Kaçka, ushtria mbretërore e Serbisë kishte pushkatuar tetë banorë të këtij fshati, më 1912. “Në vendin e quajtur ‘Javor’, afër fshatit Restelicë, ushtria serbe, e udhëhequr nga gjenerali Bozhidar Jankoviq, pati pushkatuar tetë banorë të fshatit tonë, ndërkohë që vetëm një kishte mbetur i plagosur. Ky veprim, bashkë me shumë të tjera, gjeneralin Jankoviq e bën hero të Serbisë. Prandaj, Hani i Elezit merr emrin e tij”, shpjegon Kaçka, duke përmendur edhe rastin e Srebrenicës, memorialin e së cilit qytet e kishte vizituar disa herë dhe, sa herë që shikonte aq shumë varre, të cilat i kishte krijuar makineria serbe, ai ishte tmerruar.
Sot, djaloshi që ka magjistruar në degën e Logopedisë, ndërkohë që është afër magjistrimin në Linguistikë, thotë se nuk i kupton mësimdhënësit e Gorës e as prindërit e fëmijëve, që pranojnë, siç thotë, të shiten për një grusht dinarë, duke injoruar gjithçka që është me vulë të Republikës së Kosovës, për ta mbajtur gjallë në këtë trevë çdo gjë që mban vulën e Republikës së Serbisë. “Paradoks i gjithë kësaj është fakti se shumica e pasardhësve të tetë viktimave që ranë nga dora e gjeneral Jankoviqit, sot mbajnë gjallë sistemin serb të arsimit. Për më keq, ata na shantazhojnë të gjithë ne që mundohemi ta bindim popullatën tonë se e ardhmja e tyre është duke u ndier si boshnjakë dhe duke marrë pjesë në ndërtimin e shtetit të Kosovës, i cili ka nevojë për përkrahjen e çdonjërit nga ne, si banorë të saj”, thotë Kaçka, i bindur se rruga që po ndjek ai dhe bashkëmendimtarët e tij do të ngadhënjej.
Aktualisht, shkolla e Restelicës ka 240 nxënës që mësojnë me plan-programet e Kosovës dhe 295 të tjerë që vazhdojnë me plan-programet e Serbisë. Pavarësisht se ende dominojnë nxënësit që mësojnë me sistemin serb, diferenca e shifrave nga viti i kaluar flasin për një ndryshim me hapa të shpejtë në favor të normalizimit të sistemit kosovar. Drejtori i kësaj shkolle thotë se vitin e kaluar kishte 365 nxënës që mësonin me sistemin paralel, ndërkohë që këtë vit janë 295. Ndërkaq, me sistemin kosovar, vjet mësonin 190 nxënës ndërsa këtë vit janë 240. “Ky ndryshim erdhi pas ndërhyrjes sime, si drejtor i ri, kur fillova të mos merresha fare me ata që nuk respektojnë ligjet e Kosovës. Këtë vit implementuam në tërësi plan-programet e Kosovës, që nga parashkollorët e deri në klasën e nëntë, vetëm se në klasën e nëntë nuk kemi nxënës, por që vitin e ardhshëm do t’i kemi të gjithë këta që tani vijojnë klasën e tetë”, sqaron Kaçka, për të detajizuar edhe faktin se, me plan-programet e Kosovës, mësimi zhvillohet në gjuhën boshnjake dhe atë shqipe.
Mënyra më e mirë për t’i joshur nxënësit që ta përkrahin angazhimin e tij për ta normalizuar në tërësi gjendjen në këtë shkollë, drejtori i ri thotë se ka zgjedhur aktivitetet e lira edukativo-arsimore, duke shpërndarë një frymë progresive tek nxënësit. “Fëmijët kanë nevojë për më shumë aktivitete të lira, siç janë edhe garat në sport dhe mësime, përmes së cilave ata frymëzohen më shumë dhe ndjejnë nevojën për të qenë në një sistem shkollor që ka më shumë atraksione. Ndërkohë, me arsimtarët mbaj mbledhje të rregullta, e që nuk ishte praktikuar më parë në këtë shkollë”, përfundon bisedën me Radio SHARRI-n, drejtori i shkollës së Restelicës, Milaim Kaçka, duke paralajmëruar se shumë shpejtë do të kaloj me punë në Prizren, në Fakultetin e Edukimit, por që në shkollën e fshatit të tij do të japë kontributin maksimal, ndonëse nuk do të jetë më drejtues i saj.
 
 
Share