• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Gjumi i Akademisë!
Nga: Bedri HALIMI   
e Martë, 06 Dhjetor 2011 09:31

bedri_halimi
 
Bedri HALIMI - Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës

Menjëherë pas publikimit të intervistës së akademik Rexhep Qosjes, rreth politizimit të ASHAK-ut, ndaj akademikut u lëshuan me sulme, fyerje e mohime, si nga Akademia, ashtu edhe nga ana e LDK-së. Nuk është çështja këtu, se Rexhep Qosja duhet të mbrohet nga dikush, sepse për një gjë të tillë, as nuk ka pasur e as nuk ka nevojë, ngase Rexhep Qosja më veprat e veta, në lëmin e kulturës, artit e shkencës, është institucion në vete. Por, çështja është të disa të thëna të paqëndrueshme e fyese rreth veprimtarisë së akademikut Qosja dhe për tendencën negative për të mos lejuar lëvizjen e gjërave nga vendi.

Themelimi i Akademisë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është themeluar më 1975. Pra, kjo është bërë përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 20 dhjetor 1975. Dhe që nga atëherë, për këtë Akademi vlejnë po ato dokumente. Në linkun e kësaj Akademie, nuk figuron ndonjë dokument i ndryshuar, lidhur me mënyrën e veprimtarisë së saj. ASHAK në atë kohë kishte tri seksione: 1. Seksionin e Shkencave Shoqërore, 2. Seksionin e Shkencave të Natyrës dhe 3. Seksionin e Gjuhësisë, të Letërsisë dhe të Arteve. Më 1985, Kuvendi i ASHAK-ut mori vendim për themelimin e Arkivit të Akademisë e të Institutit të Arkeologjisë dhe të Etnografisë. Instituti i Arkeologjisë dhe i Etnografisë nuk arriti të themelohej kurrë, as sot e kësaj dite. Kurse në linkun e Akademisë, tani figurojnë këto seksione: 1. Seksioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë; 2. Seksioni i Shkencave Shoqërore; 3. Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe 4. Seksioni i Arteve.

Kush janë Akademikët

Deri më tani, sipas uebfaqes së ASHAK-ut, kjo Akademi ka 25 akademikë si anëtarë të rregullt (Idriz Ajeti, Ali Aliu, Eqrem Basha, Besim Bokshi, Mehmet Kraja, Pajazit Nushi, Latif Susuri, Nexhat Daci, Rauf Dhomi, Minir Dushi, Rexhep Ferri, Enver Gjergeku, Hivzi Islami, Rexhep Ismajli, Mark Krasniqi, Ekrem Murtezai, Ali Podrimja, Rexhep Qosja, Jashar Rexhepagiq, Esat Stavileci, Engjëll Berisha, Sabri Hamiti dhe Tahir Emra. Si anëtarët korrespodentë janë: Engjell Berisha, Tahir Emra, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Pajazit Nushi dhe Latif Susuri. Anëtarët e vdekur të kësaj Akademie janë: Ramiz Abdyli, Enver Gjerqeku, Eshref Ademaj, Fehmi Agani, Mihajlo Apostolski, Muharrem Berisha, Agim Çavdërbasha, Tish Daija, Agnja Desnickaja, Vuk Filipoviq, Ali Hadri, Hajredin Hoxha, Osman Imami, Ibrahim Kodra, Esad Mekuli, Janez Milçinski, Muslim Mulliqi, Grga Novak, Anton Pashku, Kolë Popa, Syrja Popovci, Dervish Rozhaja, Pavle Saviq, Vladeta Vukoviq, Çesk Zadeja, Gazmend Zajmi. Anëtarët e jashtëm: Edhem Çamo, Tomë Berisha, Neil S. Cherniack, Shaban Demiraj, Robert Elsie, Wilfried Fiedler, Victor Frideman, Gjelosh Gjokaj, Kristian Gyt, Eric P. Hamp, Dragisha Ivanoviq, Ismail Kadare, Dushan Kanazir, Muhamedin Kullashi, Noel Malcolm, Joseph Milie – Emili, Leonard Newmark, Branko Paviqeviq, Michel Roux, Aleksandër Stipçeviq dhe Gunnar Svane. Anëtarë Nderi: Gonxhe Bojaxhiu, Ferid Murat dhe Josip Broz Tito. Pra, siç po shihet, këtu nuk janë të shënuar të gjithë emrat, si psh. Musa Haxhiu, Isa Mustafa, Sinan Hasani etj., mungojnë. Gjithashtu, emrat e akademikëve të vdekur, përpos që janë vënë në listën e akademikëve “In memoriam”, disa figurojnë edhe në mesin e akademikëve të rregullt (d.m.th të gjallë, si Jashar Rexhepagiq, Enver Gjerqeku), kurse anëtarët me korrespodencë, figurojnë edhe në listën e anëtarëve të rregullt, duke u prezantuar kështu biografitë e tyre nga dy herë, si: Engjëll Berisha, Tahir Emra, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Latif Susuri dhe Pajazit Nushi. Ndërkohë, që disave nga akademikët që nuk janë gjallë, u mungon biografia, si Ramiz Avdylit, Esheref Ademajt, Fehmi Aganit, Agim Qavderbashës, Tish Daijës, Ali Hadrit, Ibrahim Kodrës, Esad Mekulit, Anton Pashkut, Muslim Mulliqit, Kolë Popës, Syrja Popovcit, Dervish Rozhajës, Gazmend Zajmit, Qesk Zadejës, Mihajlo Apostolskit, Vuk Filipoviqit, Hajredin Hoxhës, Osman Imamit, Grga Novakut, Vladeta Vukoviqit, Pavle Saviqit, Janez Milqinskit, Agnja Desnickajës, si dhe akademikëve të nderit: Gonxhe Bojaxhiut, Ferid Muratit dhe Josip Broz Titos. Disave në biografi u mungon edhe fotografia, si p. sh Rauf Dhomit. Pothuaj në asnjërën nga biografitë e prezantuara, nuk shkruan se cilat janë rezultatet e kërkimeve shkencore, të botimeve, titujt e veprave etj. Këtu bën përjashtim prezantimi i Hivzi Islamit deri në vitin 2003. Por në dokumentet e prezantuara, nuk figuron se cilat kanë qenë dhe cilat janë kriteret e pranimit në Akademi? Kush i ka vendosur ato kritere dhe a kanë ndryshuar? Kush duhet të bëjë ndryshimin e kritereve të pranimit në Akademi? Se sa serioze është kjo çështje, mjafton t’u lexosh biografitë dhe të arriturat e disave prej këtyre akademikëve dhe të bindesh se sa serioz është ky organizëm, i quajtur Akademi. Sa intelektualë shqiptarë kanë të arritura më të mëdha se disa prej këtyre akademikëve dhe nuk janë pranuar në Akademi? Anëtarë akademie në Kosovë është pranuar dikush që ka vetëm shkollën e mesme apo edhe vetëm fakultetin?

Disa nga botimet e Akademisë

Kjo Akademi ka bërë disa libra që kanë vlera, madje edhe komplete veprash, si të akademikëve Idriz Ajetit, Gazment Zjamit, Selman Rizës, pastaj komplete veprash letrare të Enver Gjerqekut etj., por parashtrohet pyetja, sa libra janë botuar dhe me atë punë, a është arsyetuar ekzistimi i këtij organizmi të quajtur Akademi? A arsyetohet ekzistimi i një akademie me ribotimin e veprave letrare apo shkencore? Madje, botimin e veprave të Fehmi Aganit nuk e ka bërë Akademia. Kurse për disa as që ka tentuar të botojë kompletin e tyre, duke u mjaftuar me botimin e vetëm një libri, siç është rasti me Ali Hadrin. Përse nuk janë botuar librat e akademik Ali Hadrit? Është e qartë se po të ishte gjallë Ali Hadri, disa gjera do t’i thoshte më ndryshe, për shkak të mungesës së lirisë së krijimtarisë shkencore nga koha e regjimit të shokut Tito, të cilin kjo akademi e ka dhe vazhdon ta këtë “omiljenik”, prandaj edhe vazhdojnë ta mbajnë anëtar nderi.

Politizimi i Akademisë

Në reagimin e tyre në emër të ASHAK-ut, “e korrigjojnë” Qosjen, duke thënë, se nuk qenkan dy-tre vetë bashkë me Qosjen, që nuk i përkasin LDK-së, por qenkan vetëm dy akademikë, që i përkitkan këtij subjekti politik. Pa dashur të përmendim emra, kjo gjë nuk qëndron, për faktin se nuk është fjala këtu, kush dhe sa janë në poste politike, sepse edhe kjo çështje është e drejtë e secilit, por qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë indirekte, rrallë kush nga anëtarët e Akademisë, nuk kanë qenë e nuk janë në LDK. Dhe përsëri këtu, nuk është problemi a janë në LDK apo jo?! Le të jenë siç kanë qenë në LDK, ashtu siç kanë qenë pothuaj të gjithë edhe në LKJ. Por çështja është se sa një Akademi mund të quhet e tillë, përderisa disa nga anëtarët e saj janë të politizuar dhe gjërat i shohin nën prizmin e një ideologjie të caktuar? E vërteta është se Akademia nuk ka qenë as për së afërmi në nivelin e detyrave që i ka nxjerrë koha, si gjatë kohës së okupimit, po ashtu edhe pas çlirimit. Nevojiten fakte për këtë gjë?

Disa nga (mos)veprimet e Akademisë

Shumica e akademikëve serbë, gjatë kohës së Millosheviqit, kanë qenë në SPS, por edhe atëherë, edhe tani, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë platforma e strategji veprimi, simpoziume e tribuna shkencore, libra të tërë për çështjen serbe, për Kosovën, madje edhe për pjesë të veçanta të Kosovës, duke vazhduar t’i trajtojnë si pjesë të pandara të shtetit serb. Sa për ilustrim, këtu po e përmendim vetëm platformën për Kosovën në periudhën e pasluftës, simpoziumin shkencor për trevën e Gorës në prill të vitit 2000, botimin e librave të veçantë për Gorën, Sreckën etj. Dhe qëllimi është i qartë: nuk i ka mbetur as Akademisë serbe, e as shtetit serb te një enklavë gorane, e rrethuar në të katër anët me shqiptarë, nga e cila gjë nuk ka kurrfarë përfitimi ekonomik, por qëllimi është te ruajtja e parullës serbe, e cila me ngulm përmendej në kohën e Millosheviqit “Od Horgosha do Dragasha…”, e përmes saj edhe për mbajtjen gjallë të ëndrrës serbe për rikthimin e Kosovës. Kurse akademikët tanë, ç’kanë bërë në këtë drejtim? Cili prej tyre ka shkruar diçka, për shembull për Gorën? Sa simpoziume shkencore kanë mbajtur për problemet e Kosovës, qoftë në planin historik, etnografik, kulturor, sociologjik, gjeografik etj., dhe cili është fati i atyre punimeve? Më 1994, policia serbe mbylli godinën e ASHAK-ut, përzuri prej andej akademikët dhe e përdori pastaj atë për destinacion tjetër. ASHAK-u u detyrua që veprimtarinë e vet ta zhvillonte në një shtëpi private në Prishtinë. Cila ishte puna e tyre, të paktën për të sensibilizuar botën edhe për veprimin e Serbisë ndaj Akademisë? Serbia, vetëm për vrasjen e 88 fëmijëve serbë, që kanë pësuar nga bombardimet e NATO-s, ka shkruar libër të pajisur me fotografi kolor e me letër cilësore, të cilin e ka përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore të botës, për ta alarmuar botën, gjoja për gjenocidin që paska ushtruar bota ndaj popullit dhe shtetit serb. Seksioni i Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, më 1995 botoi veprën kolektive “Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga Kriza lindore e këndej”, kurse që nga ajo kohë, më nuk janë marrë me këtë temë. Por pa hyrë në cilësinë e librit, që ka gjithsej 291 faqe dhe prezantimin e argumenteve në të, po pyesim se në cilën gjuhë është botuar përveç në shqip? Akademi se jo mahi! Janë individë në kuadër të kësaj akademie, që kanë botuar ndonjë libër në lëmin e demografisë apo psikologjisë. Në linkun e kësaj Akademie, te projektet, nuk figuron asgjë. Sigurisht nuk ka kurrfarëë projektesh, kështu që çdo gjë mbetet në stihinë e secilit akademik, për të botuar, e më së shumti ribotuar librat letrarë a shkencorë të mëparshëm. Heshtjes morbide të Akademisë së Kosovës në fazat më kritike të saj, ndoshta do t’u përgjigjej më së miri Fishta, me vargjet e tij brilante në poezinë “Surgite mortu” (Qohuni të dekun), e që natyrisht, nuk vlejnë vetëm për akademikët tanë: “Shka bajn Shqyptarët?... Han fiq e kastraveca: E pijn mastikë, e qesin petlla n'uej; E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca; E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej Pale a kanë ksulen qyp a se kapelë, A e ka uficiali kalin at a pelë”.

Akademikë në organizmin ku ende janë “akademikë” Tito, Sinan Hasani…

Pse nuk hiqen titujt e dhënë për motive politike? Në këtë pyetje, thonë se nuk paskan kompetenca, sepse rregullat nuk po lejuakan tërheqjen e titullit. Kush ua ka ndaluar të drejtën për ta iniciuar çështjen e heqjes së titullit akademik nderi për Titon e për Sinan Hasanin? Përse këta që po i penguakan deklarimet e Qosjes, nuk i penguaka çështja e Titos e Hasanit? Sigurisht, ngase këta akademikë janë ndarë fizikisht nga Jugosllavia, për shkak se Kosova është ndarë fizikisht nga Serbia, por si duket, disa nuk kanë arritur të ndahen edhe shpirtërisht, prandaj kanë nostalgji për vëllazërim-bashkimin, për “kohët e arta” që i kanë kaluar gjatë asaj kohe dhe që kurrë tymin nuk ua ka prishur askush këtyre akademikëve tanë, pavarësisht në ishin apo jo akademikë atë kohë. E atëherë, si të kërkojmë ne që këta t’ia prishin tymin dikujt, pale pastaj Serbisë, apo Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve? Kush prej tyre, dhe sa përgjigje u ka dhënë Akademisë serbe, qoftë si individ, apo edhe si organizëm? Këto janë të vërtetat e Akademisë sonë, ky është morali i akademisë sonë dhe i akademikëve tanë; kjo është logjika e Akademisë sonë dhe natyrisht e akademikëve tanë. Të rikujtojmë se kjo Akademi ka botuar edhe librin “Tito për Kosovën, Kosova për Titon”, prandaj edhe nuk mërzitën që të iniciojnë procedura për tërheqjen e titullit akademik nderi për një antishqiptar të dëshmuar. E si mund ta tërheqin këtë titull, kur në fuqi, sipas kësaj Akademie, ende janë ligjet e vitit 1978. Pra, ora e kësaj Akademie për të mos thënë është ndalur, po themi punon me kurdisjen që i është bërë më 1978. Dhe orë të tilla, që punojnë kaq gjatë, nuk e dimë a ka edhe në Zvicër. Është e çuditshme se si me këtë qëndrim pajtohen edhe dy subjekte politike LDK dhe AAK, të cilat kanë lindur pas vitit 1978!?
 
 
Share