e Enjte, 05 Janar 2012 08:52 |
Nju Jork, 05 janar 2012 - Një polic nga Nju Jorku, shqiptar nga Kosova, ishte fituesi i një puthjeje nga aktorja e famshme amerikane, Jenny McCarthy, e cila ka udhëhequr programin e Vitit të Ri në televizionin gjigant amerikan ABC. Bekim Beqaj është përzgjedhur nga stafi i ABC-së për ta puthur aktoren e famshme, por që kjo puthje rezultoi me pasion. Beqaj ka rrëfyer me pasion për atë çast magjik për të, duke thënë se ishte ndër dhuratat më të këndshme që mori në fundvitin 2011. “Ajo pa hezitim u hodh në duart e mia dhe u puthëm. Fillimisht mendova se do të ishte një puthje e thjeshtë në faqe, por që zgjati më shumë”, ka thënë Beqaj. Pas puthjes, aktorja kishte kërkuar nga Beqaj që ta vlerësonte puthjen me notën nga 1 deri në 10. Natyrisht që polici amerikan me prejardhje nga Kosova e kishte vlerësuar me notën maksimale 10. Beqaj më pas ka treguar edhe për rrjedhën e kësaj ngjarje më pas, ku potencoi se si kolegët e tij në punë e kishin pritur si një hero, ndërkohë që ende po merr telefonata nga të njohurit e tij. Polici nuk ka hezituar të tregonte se është një djalë beqar.
Ndërkohë, aktorja McCarthy tha të nesërmen se nuk e dinte emrin e policit, por që e ftoi atë përmes emisionit që t’i lajmërohej, sepse i kishte pëlqyer puthja. McCarthy ishte e martuar për 5 vjet me aktorin e famshëm, Jim Carrey.
|