• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
e Premte, 02 Mars 2012 13:30

Bedri HALIMI -
Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës
 
ZHBLLOKIMI I BLLOKADËS SË NJËANSHME!
 
Kritikuesit, qofshin të partive opozitare qofshin individualë, do të duhej ta dinin një gjë: sikur të ishte çliruar vet Kosova nga Serbia, tashmë nuk do të kishte nevojë për kurrfar fusnote. Përderisa Kosova është çliruar me ndihmën e SHBA-ve dhe miqve evropianë; përderisa pavarësia e Kosovës u shpall me ndihmën e po këtyre faktorëve kryesor vendosës; përderisa të gjithë miqtë, deri më tani i kanë mbajtur premtimet, atëherë cila do të ishte arsyeja që nuk do të duhej t’iu besonim edhe në këtë rast?
 
Qasjet rreth marrëveshjes së arritur mes Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e Brukselit, tashmë janë ndarë në dy taborre të skajshme. Në njërën anë është politika ndërkombëtare me të gjitha qendrat e vendosjes, në krye me SHBA-të dhe miqtë më të fuqishëm evropianë, ku në mbështetje të këtij taborri është edhe politika zyrtare në Shqipëri, Kosovë, shqiptarëve në Maqedoni etj. Kurse në taborrin e kritikuesve, përpos opozitës në Kosovë, bën pjesë edhe ndonjë analist, ndonjë i ashtuquajtur analist dhe ndonjë politikan, emri i të cilit nuk thotë asgjë në skenën politike të Kosovës.
Nga kritikët shqiptar, dikush thotë se me një marrveshje të tillë fituan serbët, fitoi nacionalizmi serb dhe ata që humbën janë shqiptarët. Dikush thotë, madje se “Fusnota është turp për Republikën e Kosovës, është njollë e panevojshme, absolutisht e papranueshme, përulëse, denigruese, degraduese...”. Dikush madje shkon aq larg, sa që theskon se “me fusnotë krijohet konfederata Serbi-Kosovë”! Por, asnjëri nga këta, përpos konstatimit, nuk tregon se çka do të fitonte Kosova, sikur mos ta pranonte këtë marrëveshje dhe cilën rrugë do të duhej ta ndiqte.
Në këtë taborr, edhe ish lideri i partisë ORA, Veton Surroi, ka deklaruar se marrëveshja për përfaqësim rajonal, e arritur në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit, është një hap mbrapa për Republikën e Kosovës, duke shtuar se “Kosova është dashur të ketë një rol tjetër, në raport me Bashkimin Evropian”, por si të gjithë kritikuesit, nuk e sqaron se cilin qëndrim do të duhej ta kishte Kosova. Surroi në këtë rast nuk ndalet me kaq, por merr guxim të jap vlerësime edhe për dekleratën e Dellit, duke thënë se si ai “ka përdorur gjuhë diskualifikuese, e cila nuk duhet të përdoret nga një ambasador, dhe se nuk e ndihmon procesin politik”. Pra, Surroi, duke pretenduar se i di të gjitha, e di edhe kur Delli e ndihmon procesin politik edhe kur nuk e ndihmon. Por, ja që Delli vërtet “ka bërë gabim” që ka deklaruar ashtu, sepse si duket se ka harruar ta pyeste Surroin, se si duhet të deklarohet. Në këtë rast, Surroi, si politikan i harxhuar që është, ndoshta ka harruar ta quaj edhe Dellin si anatiamerikan. Gjithashtu, Surroi, duke përfituar nga rasti, vazhdon ta sulmoj kryeministrin e Kosovës, duke thënë madje se si “Thaçi ka qenë kundërshtari më i madh i Konferencës së Rambujesë, antiamerikani dhe antievropiani më i madh, që në fund është detyruar ta nënshkruaj marrëveshjen”. Sa për antiamerikanizmin e Thaqit dhe nënshkrimet e tij, jo vetëm Surroi që e di, se Thaqi ka qenë nënshkrues i të gjitha dokumenteve të deritashme për Kosovën, dhe të gjitha deri tani praktikisht kanë rezultuar pozitive. Kurse, rreth qëndrimit të Surroit në Rambuje, e ka sqaruar edhe akademiku, Rexhep Qosja, duke treguar se si, pas refuzimit të Thaçit për nënshkrimin e dokumentit në Rambuje, Surroi me emocione i është drejtuar atij, duke i thënë se e do jetën dhe jo luftën, e kjo domethënë, jo lirinë. Ndërkohë që Thaçi e ka dashur jetën në liri, prandaj e ka bërë luftën, duke e refuzuar formën e tillë të dokumentit në Rambuje. Por, njëri nga personalitetet e LDK-së, Berim Ramosaj, pa e pyetur Surroin fare, jo vetëm që nuk thotë se Delli paska përdorur gjuhë diskualifikuese, por ka deklaruar se “Veprimet e lidershipit të LDK-së nuk janë në harmoni me qëndrimet e Bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht me partneren strategjike, SHBA-të”.
Ndër kritikuesit e kësaj marrveshje është edhe, i ashtuquajturi analist, Nexhmedin Spahiu, i cili me qasjen e tij joserioze shkon aq larg sa që ta mohoj edhe shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt dhe, sipas tij, data e pavarsisë do të duhej të ishte 10 qershori, duke bërë një pyetje të mjerë: “Pse duhet festuar lindjen e shtetit – foshnjë?”. Madje, Spahiun e kanë penguar edhe shpenzimet që janë bërë për festimin e pavarsisë. Por, edhe përkundër kësaj, Nexhemdin Spahiu nuk i hyri në hatër popullit, e as qytetit të tij, dhe si rrjedhojë, kur u fut në listën zgjedhore, populli ia tregoi vendin, duke mos ia dhënë votën. Spahiu duhet ta dijë se, nuk ra “Republika e Thaçit”, sepse ajo, ndonëse është formuar me ndihmen e Klintonit e Bushit, është shpallur nga Thaçi. Mendim negativ, në këtë rast, shprehu edhe ndonjë politikan, si Daci, mendimi i të cilit aktualisht nuk do të thotë asgjë në skenen politike kosovare.
Kjo logjikë kriticiste, duke e bërë fusnotën gogol, nuk duhet t’i friksohet as përsepektivës së Serbisë për në BE, sepse në të kundërtën, cili do të ishte pozicioni i Kosovës, në opinionin ndërkobëtar, sikur Serbia ta ndiqte rrugën e Nikoliqit, Koshtunicës etj, me të cilët Rusia synon që, së bashku me 5 shtetet evropiane, të bëjë bllok frenues, jo vetëm për Kosovën, por edhe për BE-në?
 
Qëndrimi i ndërkombëtarëve
 
Por, çfarë thonë ndërkombëtarët për këtë kompromis? Përfaqësuesi special i BE-së, njëkohësisht shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se Bashkimi Evropian beson fuqishëm se kjo marrëveshje e ndihmon të ardhmen evropiane të Kosovës, për të shtuar se “duhet guxim i vërtetë dhe akt burrëror që të tejkalohen politikat partiake dhe të shikohen interesat e popullit të Kosovës dhe e ardhmja e saj”. Gjithashtu, sipas tij, kjo marrveshje ia mundson Kosovës të marrë pjesë dhe të nënshkruajë marrëveshje të reja, në emër të vetin, si dhe të flasë në emër të vet, në të gjitha takimet rajonale.
Edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka thënë se është bërë përparim i rëndësishëm, sepse i është “dhënë fund bllokadës së njëanshme të Kosovës në skenën ndërkombëtare, nga ana e Serbisë”. Gjithashtu edhe Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, e përshëndet përparimin e arritur. Ndërkaq, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, duke rikujtuar “se sa të angazhuara janë Shtetet e Bashkuara ndaj forcimit të Kosovës dhe partneritetit të qëndrueshëm me ne”, thekson se ”ne jemi të angazhuar plotësisht për pavarësinë e Kosovës, integritetin e saj territorial dhe sovranitetin. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë proces, që nga fillimi, dhe ne e dimë se kjo është një zgjedhje e vështirë politike, por ajo do ta çojë popullin e Kosovës më afër integrimit evropian”. Klinton ka hedhur poshtë pohimet, se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, mund të rrezikonte arritjet e deritanishme, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. “Nuk jam dakord me këtë. Në fakt, mendoj se kjo do të ndihmojë në rritjen e numrit të vendeve që do ta njohin Republikën e Kosovës, sepse ajo do të hiqte justifikimin, se nuk është bërë përparim në mes të Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, që tashmë e njohin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, do të kenë një argument më të fortë”. Atë që e pati premtuar në Rambuje, Medlin Ollbrajt, u realizua. Atëherë, cila do të duhej të ishte arsyeja, që Hilari Klinton nuk do t’i mbaj premtimet?
Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Vestervelle, thekson se “Ky është një hap i madh, në drejtimin e duhur, në drejtimin kah perspektiva evropiane e të dy shteteve”.
Edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Ketrin Eshton, dhe Komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle, theksojnë: “Kosova kështu do të ndjekë të njëjtën rrugë evropiane, sikur i gjithë Ballkani Perëndimor, në vijë me perspektivën e saj evropiane. Në këtë aspekt, Komisioni propozon fillimin e studimit të fizibilitetit për një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së”. Këta zyrtarë të lartë evropianë kanë bërë të ditur se Kosova ka fituar të drejtën për t’u përfaqësuar vetë në takime rajonale, si dhe për të bërë progres drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. “Sa i përket Kosovës, kjo është e rëndësishme, pasi që e bën Kosovën pjesëmarrëse të plotë me përfaqësim vetanak në takimet dhe ngjarjet rajonale dhe kjo do t’i mundësojë progres të mëtejmë drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE-në”. Po kështu, edhe ndërmjetësi në këto bisedime, Robert Kuper, duke folur për marrëveshjen thekson se “ajo që bëhet e qartë, është se Kosova flet për Kosovën dhe se Qeveria e Kosovës merr pjesë si anëtare e plotë në të gjitha organizatat, pa dikë tjetër, duke folur për veten.
Kurse Sekretari i Jashtëm britanik, Uiliam Hag, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjeve rreth bashkëpunimit rajonal dhe implementimit të menaxhimit të integruar të kufijve, si edhe ka përshëndetur propozimin për të nisur një studim fizibiliteti, për një marrëveshje Stabilizim-Asociimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke potencuar se këto marrëveshjeve “janë vendimtare për të siguruar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Edhe ministrat e jashtëm, të Austrisë, Mihal Spindeleger, të Francës, Alen Zhëpë dhe të Italisë, Gjulio Terzi, kanë bërë thirrje që, pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, të nënshkruhet marrëveshja për Stabilizim Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës. “Ashtu siç dëshirojmë të kemi Serbinë në BE, të njëjtën perspektivë të qartë evropiane duhet t’i japim edhe Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të zëvendeskancelarit austriak, Mihal Spindeleger, ministrit të Punëve të jashtme të Francës, Alen Zhëpë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Gjulio Terzi.
Ministria e jashtme e Kroacisë gjithashtu ka shfaqur shpresën se, zbatimi i marrëveshjeve të fundit, do t’i kontribuoj stabilitetit rajonal ndërsa Kosovës do t’i ndihmoj “në përparimin kah integrimet evropiane”.
 
Politika zyrtare serbe
 
Edhe në Serbi nuk i është duartrokitur nga të gjithë kësaj marrëveshje. Atë e kanë kundërshtuar, sidomos radikalët dhe partia e Koshtunicës. Por, do të ishte iluzore të mendohej se politka aktuale serbe do të mbante qëndrim tjetër nga deklarimet triumfaliste që ka bërë.
Kreu i ekipit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviq, ka thënë se marrëveshja për bashkëpunimin rajonal është plotësisht në përputhje me interesat kombëtarë të Serbisë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, me arritjen e marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, ka thënë se është konfirmuar politika “Edhe Evropa, edhe Kosova”. Kurse, ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, krahas deklarimit se “derisa është Serbia, Kosova nuk bëhet shtet”, megjithatë e ka pranuar se për marrëveshjen e arritur në Bruksel, esenciale ka qenë vizita e ministrit të Jashtëm gjerman në Beograd, të enjten, Guide Uestervele.
Nese është kështu, atëherë lind pyetja, përse ministri i jashtëëm gjerman, Ustervele, paska pasur nevojë të shkoj në Beograd në momentin kur pritej të arrihej kjo marrëvshje? Aq më tepër kur Kosova nuk qenka shtet. Jo vetëm Jeremiqi, por e tërë Serbia e di që Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
 
Politika zyratare shqiptare
 
Kryeministri, Sali Berisha, në prononcimin e tij thekson se “e vërteta e pakundërshtueshme është se, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj si shtet i pavarur nga SHBA-të, Franca, Britania, Gjermania, Italia, Japonia dhe mbi 90 % e vendeve të lira të botës dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Rezoluta 1244 e OKB-së është thjesht një replikë në arkivin e një kohe që nuk kthehet kurrë më. Një letër e vdekur, që nuk i besojnë as ata që e citojnë”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, vlerëson se “këto marrëveshje, të arritura me një vullnet politik të përbashkët dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, nuk cënojnë parimet e pavarësisë së Kosovës, si shtet i pavarur, që tashmë njihet zyrtarisht nga 88 vende, anëtare të OKB-së, dhe as integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit”.
BDI-ja e Ali Ahmetit (aktualisht në pushtet, në Maqedoni) duke e përshëndetur marrëveshjen Kosovë-Serbi thekson se “marrëveshja e koordinuar me miqtë tanë në Bruksel dhe Uashington, vë themelet e marrëdhënieve të ndërsjella ndërshtetërore midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por njëkohësisht kontribuon edhe në paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin e sigurinë në rajon. Sot, Kosova njihet edhe nga Serbia që njëkohësisht hap rrugën për njohje edhe nga vendet tjera të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap”.
Në një komunikatë për shtyp, presidentja e Kosovës, Jahjaga, mes tjerash thotë se një marrveshje e tillë “ndihmon në normalizimin dhe shtendosjen e marrëdhënieve, në lehtësimin e jetës e të punës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”.
 
Në vend të përfundimit
 
Është normale që Prishtina dhe Beogradi ta interpretojnë në mënyra të ndryshme marrëveshjen. Edhe pas kësaj marrëveshje, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa Rezoluta 1244 është e kaluar për Kosovën. Pavarësia e Kosovës nuk është akt, por process, dhe procesi edhe në këtë rast vazhdon.
Kryeministri i Kosovës ka pranuar se “formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik, në të cilin po kalon Kosova”, duke shtuar se  “Marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja për Planin Ahtisari i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjell Kosovës integrimet evropiane”.
Përderisa të gjitha nënshkrimet e deritashme kanë rezultuar, praktkisht në favor të Kosovës; përderisa Kosova është çliruar me ndihmën e SHBA-ve dhe miqve evropian; përderisa Pavarësia e Kosovës u shpall me ndihmën e po këtyre faktorëve kryesor vendosës; përderisa të gjithë miqtë, deri më tani, i kanë mbajtur premtimet, atëherë cila do të ishte arsyeja që nuk do të duhej t’i besonim edhe në këtë rast?
Kritikuesit, qofshin të partive opozitare qofshin individualë, do të duhej ta dinin një gjë; sikur të ishte çliruar vet Kosova nga Serbia, tashmë nuk do të kishte nevojë për kurrfar fusnote. E që të ishte kështu, para se ta fajsonin kryeministrin e Kosovës, duhet ta pyesin veten, se ku ishin ata gjatë luftës dhe cili ishte kontributi i tyre praktik në çlirimin e Kosovës.
 
 
Share