• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Promovohet Abetarja që i bashkon shqiptarët!
e Enjte, 17 Maj 2012 16:11

Prizren, 17 maj
- Në vazhdën e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kosova dhe Shqipëria promovuan të enjten në Prizren Abetaren e përbashkët. Në këtë solemnitet morën pjesë kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrat e të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Sali Berisha, si dhe ministra nga Kosova e Shqipëria. Që të gjithë, njëzëri vlerësuan se Abetarja unike do të jetë e lirisë, e Kosovës evropiane dhe Shqipërisë evropiane.abetare_gjitheshqiptare
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e cilësoi abetaren e përbashkët si kryevepër të dijes që i dhurohet kombit shqiptar. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e konsideroi këtë ditë si ditë historike për kombin shqiptar. “Sot është një ditë historike për kulturën dhe kombin shqiptar. Sot po prezantojmë Abetaren e përbashkët. Kjo është abetarja e parë e përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën. Jo rastësisht jemi mbledhur sot në Prizren. Jemi mbledhur në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në qytetin e mesazhit historik dhe të drejtë për bashkimin në një shtet të vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Promovimi i Abetares së përbashkët, është fitore për të gjithë shqiptarët, e që këtë mund ta arrijë vetëm një popull i qytetëruar”, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në ceremoninë e organizuar në Qendrën e Sportit “Sezai Surroi”, kreu i qeverisë së Kosovës, vlerësoi punën e madhe të rilindësve shqiptarë dhe autorin e abetares së parë, Naum Veqilharxhin. “Në themelet e Rilindjes sonë kombëtare qëndron themeluesi i Abetares së parë, Naum Veqilharxhi. Andaj, ne sot nderojmë të gjithë autorët e parë të librave të shkollës shqipe. Pas 100 vjetësh, sot shteti shqiptar është shtet i lirë, anëtar i NATO-s dhe me aspiratë për t’u integruar në BE”, tha Thaçi, duke nënvizuar se edhe Kosova ka të ardhme të ndritur. “Ne kemi hedhur pas një të kaluar, që nuk do të kthehet kurrë më dhe në asnjë formë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione të dala nga vullneti i popullit të saj. Kjo Abetare është shprehje e lirisë dhe e zhvillimit në hapësirën shqiptare, është shprehje e ndërgjegjes së kombit, Abetare e lirisë, e Shqipërisë evropiane, e Kosovës evropiane. Abetare e të gjithë shqiptarëve evropianë”, vlerësoi kryeministri i Kosovës.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke falënderuar autorët për këtë punë, që e vlerësoi si tejet të çmuar, e cilësoi Abetaren e parë të përbashkët si kryevepër të dijes. Berisha u bëri me dije fëmijëve që do ta marrin në duar këtë abetare të re, se Abetarja e përbashkët mbart në vetvete idealin e bashkimit të shqiptarëve, si ideal përjetësie. “Ju falënderoj që zgjodhët kryeqytetin shpirtëror, kryeqytetin e idealit kombëtar të bashkimit të shqiptarëve, Prizrenin, për promovimin e abetares së përbashkët. Ju ftoj të prini në këtë rrugë. Rruga e dijes është rruga e dritës, për të cilën kanë më shumë nevojë se për çdo gjë tjetër shqiptarët”, tha mes tjerash Berisha, duke iu drejtuar direkt fëmijëve të shumtë në sallë, për t’i vetëdijesuar se çfarë vlere po promovohet. “Të dashur fëmijë, libri që ju merrni sot, është Abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare. Së bashku me germat, figurat e mrekullueshme, ajo mbart ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave, sakrificat e shqiptarëve, që nga kohërat e Skënderbeut e deri në luftërat çlirimtare në Kosovë dhe Maqedoni. Kjo Abetare mbart idealin e bashkimit, si ideal i përjetësisë së atyre që sakrifikuan shumë. Abetarja, nuk duhet të harroni kurrë, se ka, jo vetëm ëndrrën, por edhe qindra mijëra jetë të flijuara, me qëllimin që ne si komb të ndërtojmë të ardhmen tonë në liri, të vendosur në të ardhmen tonë evropiane. Kombi shqiptar kurrë s’ka qenë më i bashkuar se sot. Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes i bënë popullit. Abetarja është hapi i parë i madh”, theksoi kryeministri Berisha, duke apeluar që të vazhdohet me projekte të tilla. “Projekte të tjera duhet të vazhdojnë, që ta shtyjnë kombin drejt hapësirave të reja. Asgjë nuk kemi në shpirt, më të bukur se gjuhën tonë amtare. Le ta shndërrojmë atë në tekstin tonë kryesor. Le të bëjmë gjithçka, që gjuha shqipe të jetë lënda më eprore e sistemit tonë shkollor. Abetarja e përbashkët është shprehje e vendosmërisë së shqiptarëve, për të punuar të bashkuar në projektin e madh evropian, dhe për të ndërtuar vlerat e mëdha të qytetërimit evropian dhe me përkushtim për paqen”, tha kreu i qeverisë së Shqipërisë, duke iu bërë thirrje fqinjëve të shqiptarëve, që të çlirohen nga shqiptarofobia, pasi, sipas tij, shqiptarët janë komb që dinë të ruajnë miqësinë.
Më 24 prill ishte përzgjedhur teksti fitues për Abetaren e përbashkët, Shqipëri-Kosovë. Teksti ka katër autorë, dy nga Shqipëria (Shezai Rrokaj dhe Mimoza Gjokutaj) dhe dy nga Kosova (Islam Krasniqi dhe Saranda Kumanova – Pozhegu). Ndërkaq, grafika është realizuar nga Lorenc Buzi.
 
 
Share